Konjufca paralajmëron negociata të thelluara me LDK-në: Pres marrëveshje për të gjitha pozitat e larta

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka paralajmëruar nisjen e negociatave më të thelluara me Lidhjen Demokratike të Kosovës për formimin e institucioneve të reja.

Për T7, Konjufca tha se gjatë ditëve në vijim priten takime të reja politike mes partive, me synim tejkalimin e ngërçit institucional para seancës konstituive të Kuvendit, e cila është paralajmëruar të mbahet të enjten, transmeton Spektatori.

“Unë pres që në ditët në vijim, bile edhe para mbajtjes së seancës, të ketë edhe takime të tjera të nivelit politik mes partive politike, krejt me qëllimin që të zgjidhet kjo situatë në të cilën ndodhemi dhe t’i jepet mundësia krijimit të institucioneve të reja”, tha Konjufca.

Ai bëri të ditur se Lëvizja Vetëvendosje pritet t’i dërgojë ftesë zyrtare LDK-së për të nisur bisedimet.

“Kjo është arsyeja pse 6 gushti u caktua, siç e keni parë, dhe pres që në ditët në vijim edhe t’i dërgohet ftesa Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të kemi bisedime sa i përket kësaj mundësie”, u shpreh ai.

Konjufca tha se është optimist se një marrëveshje mes dy subjekteve politike mund të përfshijë edhe pozitat më të larta shtetërore, përfshirë postin e presidentit.

“Po, edhe për Presidentin ka shpresa. Ne do të hyjmë në negociata më të thelluara me Lidhjen Demokratike të Kosovës, qysh e ka shpjeguar edhe vetë kryeministri, edhe pastaj të shohim se çfarë epilogu po sjell ky proces”, tha ai.

Sipas tij, gatishmëria për dialog është shprehur edhe nga ana e LDK-së, duke rritur, siç tha ai, mundësinë për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse.

“Qëllimi ka qenë, edhe prej anës së LDK-së është shpjeguar prej Kryesisë së kësaj partie që do të jenë të gatshëm të bisedojnë me Lëvizjen Vetëvendosje. Pas kësaj, atëherë, jam shumë optimist që do të kemi një marrëveshje për të gjitha pozitat e larta në Republikën e Kosovës. Do të kemi një zgjidhje, besoj”, deklaroi Konjufca.

Lexo edhe:

Back to top button