
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka identifikuar parregullsi në ndarjen e subvencioneve nga Komuna e Skenderajt për vitin 2025, duke gjetur se e njëjta organizatë joqeveritare (OJQ) ka përfituar subvencione dy herë brenda të njëjtit vit buxhetor, në kundërshtim me rregulloren komunale, raporton Spektatori.
Sipas raportit të auditimit, neni 5, pika 2 e Rregullores së Komunës për ndarjen e subvencioneve përcakton se “përfitues i subvencioneve mund të jetë vetëm një herë në vit personi fizik dhe juridik”, me disa përjashtime të përcaktuara në fusha specifike.
Megjithatë, auditori ka konstatuar se gjatë vitit 2025, Komuna e Skenderajt e drejtuar nga Sami Lushtaku ka subvencionuar dy herë të njëjtin përfitues/OJQ.
Në raport thuhet se financimi është bërë për realizimin e aktivitetit “Muaji i mërgatës” në vlerë prej 13,100 eurosh dhe për projektin “Aktivitete rinore dhe kulturore” në vlerë prej 7,500 eurosh.
“Komuna gjatë vitit 2025 ka subvencionuar dy (2) herë brenda vitit të njëjtin përfitues/OJQ”, thuhet në gjetjen e ZKA-së.
Sipas auditorit, kjo ka ndodhur “si rezultat i mungesës së kontrollit të mjaftueshëm nga ana e zyrtarëve përgjegjës gjatë shqyrtimit dhe aprovimit të kërkesave për subvencione”, si dhe për shkak “të mungesës së një mekanizmi efektiv për verifikimin e përfitimeve paraprake të përfituesve brenda vitit buxhetor”.
ZKA-ja mes tjerash vlerëson se ndarja e subvencioneve në kundërshtim me rregulloren komunale “rrit rrezikun e trajtimit jo të barabartë të përfituesve” dhe mund të kufizojë mundësinë e përfitimit për organizatat e tjera që aplikojnë për mbështetje financiare.
Për këtë arsye, auditorët i kanë rekomanduar kryetarit të Komunës së Skenderajt që para aprovimit të subvencioneve të sigurojë verifikim të plotë të përfitimeve paraprake të aplikuesve, në mënyrë që të parandalohet subvencionimi i të njëjtit përfitues më shumë se një herë brenda vitit.
Në raport theksohet gjithashtu se Komuna e Skenderajt është pajtuar me gjetjen dhe rekomandimin e dhënë nga Zyra Kombëtare e Auditimit.
Ky raport ka rezultuar me 11 rekomandime, ku dy prej tyre janë rekomandime të reja, tetë të përsëritura, si dhe një pjesërisht e përsëritur. /Spektatori.com



