
Komuna e Fushë Kosovës ka dhënë me qira banesa që nuk i përkisnin asaj, ndërsa për vite me radhë ka vazhduar të mbledhë para nga to, sipas një gjetjeje të Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Auditorët zbuluan se komuna kishte regjistruar 175,675 euro llogari të arkëtueshme për prona që nuk figuronin në pronësinë e saj. Sipas dokumentacionit kadastral të verifikuar, banesat ishin pronë e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) dhe ishin privatizuar që nga viti 2006, raporton Spektatori.
Megjithatë, në gjashtë rastet e testuara, komuna kishte lidhur kontrata qiraje për këto banesa sociale dhe kishte vazhduar administrimin e tyre, edhe pse ato nuk ishin të regjistruara si pronë komunale.
“Komuna kishte krijuar marrëdhënie kontraktuale dhe kishte evidentuar llogari të arkëtueshme për prona për të cilat nuk kishte bazë të mjaftueshme juridike për dhënie në shfrytëzim”, thuhet në raportin e auditimit.
Sipas auditorëve, praktika bie ndesh me rregullat që kërkojnë që një pronë të jetë e regjistruar si pronë komunale përpara se të jepet në shfrytëzim.
Raporti kujton gjithashtu se Ligji për Marrëdhëniet e Detyrimeve i konsideron absolutisht të pavlefshme kontratat kur objekti i tyre është i palejueshëm ose nuk mund të përcaktohet ligjërisht.
ZKA ia atribuon problemin mungesës së kontrolleve efektive dhe verifikimit të statusit juridik të pronave, si dhe mungesës së koordinimit mes zyrave komunale përgjegjëse për menaxhimin e tyre.
“Lidhja e kontratave për prona që nuk ishin në pronësi të Komunës paraqet mosrespektim të kërkesave ligjore dhe rrit rrezikun e administrimit jo të rregullt të pronës komunale, si dhe mund të ndikojë në realizueshmërinë e llogarive të arkëtueshme të evidientuara për këto prona”, thuhet në raport.
Auditorët kanë kërkuar nga kryetari i Fushë Kosovës, Valon Prebreza, që të verifikojë statusin juridik dhe pronësor të çdo prone përpara lidhjes së kontratave të reja, si dhe të rishikojë kontratat ekzistuese dhe llogaritë e arkëtueshme që lidhen me këto prona.
Menaxhmenti i komunës është pajtuar me gjetjet e auditimit./Spektatori.com



