Komuna e Ferizajt kontrakton miliona euro për rrugë pa projekte ekzekutive, shkel rregullat e prokurimit

Komuna e Ferizajt ka nisur procedura të prokurimit dhe ka lidhur kontrata për disa projekte infrastrukturore pa përgatitur paraprakisht projektet ekzekutive, duke vepruar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, ka konstatuar Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin e publikuar për vitin 2025.

Sipas gjetjeve të auditorëve, rregullorja nr. 001/2022 për Prokurimin Publik përcakton se Autoriteti Kontraktues është i obliguar të bashkëngjisë projektin ekzekutues dhe specifikimet teknike para inicimit të tenderit.

Megjithatë, në disa raste, Komuna e Ferizajt ka proceduar me kontraktim të projekteve pa këtë dokumentacion bazë, raporton Spektatori.

Në raport përmenden disa investime infrastrukturore të nisura pa projekte të detajuara ekzekutive, përfshirë:

rikonstruktimin e rrugës Varosh–Gerlicë në vlerë prej 1.84 milionë euro;
asfaltimin e rrugëve në fshatin Jezerc (513 mijë euro);
rikonstruktimin e rrugës Bedri Asllani (277 mijë euro);
asfaltim në Rahovicë dhe Talinoc të Muhaxherëve (249 mijë euro).

ZKA thekson se kjo praktikë ka ndodhur si pasojë e mungesës së funksionimit të kontrolleve brenda njësive kërkuese dhe koordinimit të dobët me zyrën e prokurimit, duke bërë që procedurat të zhvillohen pa përmbushur kërkesat ligjore, raporton Spektatori.

Sipas auditorëve, zhvillimi i procedurave të tilla mund të rrisë rrezikun e realizimit të dobët të kontratave publike dhe përdorimit joefikas të fondeve publike, për shkak të mungesës së vlerësimeve të plota paraprake.

ZKA i ka rekomanduar kryetarit të komunës, Agim Aliu, që të forcohen kontrollet e brendshme dhe të sigurohet që projektet e ardhshme të përgatiten në përputhje me kërkesat ligjore para inicimit të prokurimeve, në mënyrë që të shmangen shpenzime të paplanifikuara dhe vonesa në zbatimin e projekteve.

Sipas auditorëve, planifikimi paraprak i projekteve mbetet kyç për rritjen e transparencës dhe efikasitetit në investimet publike në nivel lokal.

Menaxhmenti i Komunës së Ferizajt janë pajtuar me të dhënat dhe gjetjet e ZKA-së./Spektatori.com

Lexo edhe:

Back to top button