
Analizat laboratorike të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) kanë zbuluar shkelje në etiketimin dhe përbërjen e disa produkteve të qumështit të vendosura në tregun e Kosovës.
Sipas rezultateve të kontrolleve të zhvilluara gjatë periudhës prill–korrik 2026, në një numër produktesh si djathë, gjizë, ajkë, krem për pite, kos dhe produkte të tjera të qumështit është identifikuar prania e vajit të palmës dhe yndyrave bimore, të cilat nuk ishin deklaruar në etiketat e produkteve.
Sipas AUV-së, analizat laboratorike kanë evidentuar mospërputhje në produktet e 23 operatorëve ekonomikë, ku është konstatuar prania e vajit të palmës dhe yndyrave bimore të padeklaruara në etiketat e produkteve.
Kompanitë e përfshira sipas AUV janë:
- Aldi
- ABI Sh.p.k.
- Abrazen
- Ajka Sh.p.k.
- Anor
- BEST BT
- Bylmeti
- Dauti
- Delfini
- Elkos
- Golaj Sh.p.k.
- Korabi Puratos
- Laktais Sh.p.k.
- Grandi
- Natyra Gd
- Korabi
- Magic Ice
- Teos Sh.p.k.
- Drena Sh.p.k.
- Piko Kosova
- Proex
- Viva Fresh
- Visioni
AUV bëri të ditur se aksioni i kontrollit ka përfshirë 495 mostra të produkteve të qumështit, të cilat janë analizuar për përmbajtjen e yndyrës, proteinave, praninë e vajit të palmës, yndyrave bimore, niseshtesë, amidonit dhe qumështit pluhur.
Kryeshefi i AUV-së, Bekim Hoxha, tha se ky monitorim ka ofruar një pasqyrë të bazuar në analiza laboratorike për gjendjen e sektorit të qumështit.
“Rezultatet e këtij monitorimi kanë ofruar, për herë të parë, një pasqyrë të plotë, të qartë dhe të bazuar në evidenca mbi gjendjen reale të sektorit. Ky aksion përfaqëson një nga proceset më të gjera dhe më gjithëpërfshirëse të kontrollit zyrtar të ndërmarra deri më tani në sektorin e qumështit”, deklaroi Hoxha.
Nga analizat laboratorike janë evidentuar gjithsej 93 mospërputhje, prej të cilave 46 raste kanë të bëjnë me vajin e palmës, duke e bërë këtë përbërës shkeljen më të shpeshtë të identifikuar gjatë kontrolleve.
“Pothuajse gjysma e rasteve të evidentuara kanë të bëjnë me praninë ose deklarimin e vajit të palmës. Kjo është çështja më e shpeshtë e identifikuar gjatë këtij aksioni”, tha Hoxha.
Ai shtoi se në mbi 90 për qind të rasteve të mospërputhjeve, përbërësit e identifikuar në laborator nuk ishin deklaruar në etiketim sipas kërkesave ligjore.
Sipas tij, kjo ka bërë që konsumatorët të mos kenë informacion të plotë për përbërjen reale të produkteve që kanë blerë.
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, tha se produktet e qumështit nga fermerët vendorë janë cilësore, por sipas tij problemi shfaqet gjatë procesit të përpunimit.
“Qumështi i fermerëve tanë është cilësor, por kjo cilësi jo gjithmonë ruhet deri te produkti final”, deklaroi Muja.
Ai paralajmëroi masa ndaj operatorëve që kanë rezultuar me shkelje, duke bërë të ditur se produktet me probleme serioze do të largohen nga tregu.
“Produktet me shkelje kritike do të tërhiqen nga tregu. Aktivitetet e paligjshme dhe të paautorizuara duhet të pezullohen, ndërsa operatorët e tjerë do të monitorohen në mënyrë rigoroze nga AUV-ja”, tha Muja.
Muja shtoi se kompanitë që kanë kryer shkelje me qëllim përfitimi do të përballen me masa korrigjuese dhe procedura të mëtejshme sipas ligjit.



