
Autoritetet e Kosovës kanë sekuestruar asete me vlerë rreth 1 milion euro gjatë një operacioni në Prishtinë, i cili lidhet me një hetim për krim të organizuar, trafikim të narkotikëve dhe shpëlarje parash, tha të hënën Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.
Sipas Isufajt, operacioni u zhvillua nga Policia e Kosovës me autorizim të Prokurorisë Speciale dhe kishte në shënjestër një çift nga Kosova që jeton në Itali. Ai tha se aksioni synonte parandalimin e një rasti të krimit transnacional të lidhur me trafikimin e narkotikëve.
“Në kuadër të këtij operacioni, në shtator të vitit 2025 janë arrestuar dy persona të dyshuar për veprat penale ‘Pjesëmarrja apo organizimi i grupit kriminal të organizuar’ dhe ‘Shpëlarja e parave’”, deklaroi Isufaj gjatë konferencës.
Isufaj tha se operacioni është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, duke theksuar angazhimin e vazhdueshëm të Prokurorisë Speciale në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.



