
Shqipëria ka shpallur persona të padëshiruar dy shtetas shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, pas informacioneve të siguruara nga strukturat e sigurisë se ata përbënin kërcënim për vendin dhe qytetarët shqiptarë.
Sipas raportimeve të mediave shqiptare, përfshirë Report TV, Ministria e Brendshme ka vendosur në listën e personave “non grata” imamin Bekir Halimi dhe politikanin e analistin Valon (Valjon) Belja, transmeton Spektatori.
Vendimi është marrë pas propozimit të Drejtorisë së Antiterrorit, e cila, sipas burimeve mediatike, ka paraqitur informacione se dy personat dyshoheshin për zhvillim të veprimtarive të konsideruara armiqësore ndaj shtetit shqiptar.
Burimet bëjnë të ditur se urdhri i Ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, i është dërguar për zbatim Policisë së Shtetit dhe strukturave të Drejtorisë së Kufirit, duke u ndaluar hyrja e tyre në territorin shqiptar.
“Non grata” për Halimin dhe Beljan vjen pas vlerësimeve të Antiterrorit se aktiviteti i tyre përbënte një kërcënim real për sigurinë kombëtare dhe qytetarët shqiptarë.
Bekir Halimi është imam nga Maqedonia e Veriut. Ai ka qenë pjesë e strukturave fetare në këtë shtet, por në vitin 2016 u përjashtua nga Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut, pas përplasjeve me drejtuesit e këtij institucioni.
Ndërkohë, Valon (Valjon) Belja njihet si analist politik dhe ish-aktivist politik në Maqedoninë e Veriut. Ai ka komentuar zhvillimet politike në rajon dhe më herët ka ushtruar edhe detyrën e shefit të kabinetit të Ministrit të Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut.
Autoritetet shqiptare nuk kanë bërë publike detaje konkrete mbi aktivitetet për të cilat dy personat janë futur në listën e të padëshiruarve, ndërsa vendimi është mbështetur në informacionet e strukturave të sigurisë.
Ky është rasti i dytë brenda një periudhe të shkurtër që Shqipëria shpall një shtetas të huaj “non grata” për arsye të lidhura me sigurinë.
Më 25 qershor, Ministria e Brendshme shpalli person të padëshiruar shtetasen nga Kosova, Ikballe Huduti (Berisha), duke i ndaluar hyrjen në territorin shqiptar për një periudhë prej 15 vitesh.
Sipas autoriteteve shqiptare, Huduti kishte lidhje me regjimin iranian dhe kishte bërë deklarata publike të konsideruara kundër rendit kushtetues në Shqipëri.
Para vendimit, ajo kishte marrë pjesë edhe në një protestë para Kryeministrisë në Tiranë, ndërsa kishte publikuar materiale nga aktivitetet e saj në mbështetje të Iranit.
Me këto vendime, autoritetet shqiptare kanë sinjalizuar forcimin e masave ndaj personave që konsiderohen nga institucionet e sigurisë si rrezik potencial për rendin dhe sigurinë kombëtare.



