
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, tha të shtunën se Kosova ka hyrë në një fazë të re të krizës politike, duke akuzuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe partinë e tij për bllokimin e institucioneve.
Hoxhaj i bëri thirrje Kurtit që të propozojë kandidatin e LVV-së për kryetar të Kuvendit, pasi seanca konstituive u ndërpre për shkak të mungesës së një propozimi dhe kërkesës së Kurtit për më shumë kohë për bisedime ndërpartiake.
“Kosova sot ka hyrë në një fazë të re”, tha Hoxhaj, duke pretenduar se vendi po lëviz “drejt një anarkie të plotë, burim i së cilës është Albin Kurti dhe LVV”.
Duke komentuar zhvillimet në Kuvend, Hoxhaj e cilësoi seancën si një nga momentet më të rënda të krizës së fundit politike.
“E kishim një seancë të turpit. Nëse dje simbolikisht ia vunë drynin sallës së Kuvendit, sot ia kanë vu drynin demokracisë”, tha ai.
Sipas Hoxhajt, LVV-ja duhej të kishte propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit, por nuk e bëri këtë.
“LVV nuk e bëri që po e konsideron Kuvendin pronë të saj. Sot ka qenë seancë antikushtetuese, antidemokratike. Presim që qytetarët ta shohin dhe ta gjykojnë këtë situatë dhe ta dënojnë këtë subjekt politik”, tha ai.
Hoxhaj e përshkroi të shtunën si “një prej ditëve më të rënda” për Kosovën, pasi Kurti kërkoi sërish kohë shtesë për bisedime mes partive politike.
“Kosova prej sot nuk është më demokraci, në këtë vend nuk ka Kushtetutë as rend kushtetues. Kurti i ka suspenduar të gjitha institucionet demokratike. Është një nga ditët më të rënda që ka pasur Kosova prej ekzistencës së saj si shtet sovran dhe i pavarur”, tha Hoxhaj.
Ai tha se situata, sipas tij, ka kaluar përtej një krize të zakonshme politike dhe një bllokade institucionale.
“Nuk ka pasur udhëkryq më të madh politik. Kjo nuk është më krizë e thjeshtë politike. Nëse shkojmë tri herë në zgjedhje, rrezikojmë të shkojmë edhe një herë. Nuk është më krizë politike, as bllokadë institucionale, është shthurje e shtetit të Kosovës”, tha Hoxhaj.



