Hoti paralajmëron Haxhiun për gazin amerikan: Kur të mbushen sheshet me protestues e shihni sa serioze është çështja

Ish-kryeministri dhe kandidati i LDK-së për deputet, Avdullah Hoti, ka kritikuar ashpër ushtruesen e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, lidhur me qëndrimet për projektin e gazit amerikan dhe deklarimet e palës amerikane.

Hoti ka reaguar pas deklaratave të Haxhiut, duke vënë në pikëpyetje seriozitetin institucional për trajtimin e këtij projekti dhe raportin me partnerët ndërkombëtarë.

“Si mund të deklarohet U.D. e Presidentes se nuk e ka parë deklaratën e palës amerikane lidhur me projektin e gazit?”, ka shkruar Hoti në Facebook, raporton Spektatori.

Ai ka paralajmëruar se mosreagimi serioz ndaj kësaj çështjeje mund të çojë në protesta qytetare.

“Kur të mbushen sheshet me protestues e shihni sa serioze është çështja. Dhe sheshet do të mbushen së shpejti”, ka deklaruar ai.

Sipas Hotit, për vite me radhë institucionet e Kosovës kanë pasur qasje të gabuar ndaj paralajmërimeve të partnerëve ndërkombëtarë, duke i minimizuar ose shpërfillur ato.

“Për vite me radhë, kur paralajmërimet kanë ardhur nga miqtë tanë ndërkombëtarë, kemi parë një qasje për t’i minimizuar, për t’i sulmuar ose për t’i shpërfillur”, ka shtuar ai.

Në fund, Hoti ka vlerësuar se qasja aktuale e institucioneve tregon mungesë serioziteti shtetëror në trajtimin e çështjeve strategjike.

“Serioziteti ndaj një çështje jetike për të ardhmen e vendit tregon se çfarë prioritetesh ka kjo qeverisje. E papranueshme”, ka përfunduar ai.

Të enjten, Haxhiu tha se nuk e ka parë thirrjen e bërë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë dhe Oda Ekonomike Amerikane, e cila ka kërkuar përfshirjen e Kosovës në projektin e gazit amerikan.

E pyetur nga Ekonomia Online, Haxhiu u përgjigj shkurtimisht për këtë çështje, duke thënë se nuk është në dijeni të thirrjes.

“Nuk e kam parë fare, më vjen keq, nuk e kam parë”, deklaroi ajo.

Lexo edhe:

Back to top button