
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), njëherësh ish-kryeministër, Avdullah Hoti, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për, siç e quan ai, “degradim diplomatik” në raport me marrëveshjet ndërkombëtare gjatë pesë viteve të fundit.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti tha se ekzekutivi ka refuzuar të zbatojë Marrëveshjen e Uashingtonit, ndërsa ka pranuar Marrëveshjen e Ohrit, e cila, sipas deklaratave të emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sorensen, përbën tashmë obligim ndërkombëtar për Kosovën.
Duke iu referuar Marrëveshjes së Uashingtonit, Hoti tha se ajo vazhdon të mbetet e pazbatuar edhe gjashtë vjet pas nënshkrimit, duke përmendur në veçanti projektin për gazin amerikan.
“Marrëveshja e Uashingtonit nuk u zbatua tash e gjashtë vite. Edhe sot, kur gjithë Evropa është zgjuar në këmbë për të eliminuar plotësisht çdo varësi nga gazi rus, Kurti dhe sejmenët e tij e refuzojnë projektin e gazit amerikan duke përrallisur për alternativa të tjera të furnizimit me energji”, ka shkruar Hoti.
Sipas tij, krejtësisht ndryshe ka vepruar Qeveria në raport me Marrëveshjen e Ohrit.
“Por nuk kanë hezituar të pranojnë Marrëveshjen e Ohrit, e cila sipas Sorensenit tani përbën obligim ndërkombëtar të Kosovës”, është shprehur Hoti.
Në postimin e tij, ish-kryeministri ka bashkëngjitur edhe një fotografi nga deklarata e bërë ditë më parë nga emisari i Bashkimit Evropian, Peter Sorensen, gjatë Forumit të Dubrovnikut.
Sorensen deklaroi se Marrëveshja e Ohrit është një zotim ndërkombëtar dhe mbetet e vlefshme edhe pse nuk është nënshkruar, duke theksuar se e drejta ndërkombëtare nuk e kushtëzon vlefshmërinë e saj me një nënshkrim formal.



