
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka akuzuar Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti për, siç thotë ai, refuzim të projektit të gazit amerikan dhe mungesë të investimeve strategjike në sektorin e energjisë.
Në një status të publikuar në Facebook, Hoti ka ngritur disa pyetje lidhur me qasjen e Qeverisë Kurti ndaj projektit të gazit, duke e cilësuar atë si vendim me pasoja gjeopolitike për Kosovën.
“Pse Kurti e refuzon projektin e gazit amerikan, në situatën kur të gjitha vendet e rajonit po përfshihen në këtë projekt strategjik për të dalë nga sfera e ndikimit rus?”, ka shkruar Hoti.
Ai ka shtuar se në gjashtë vitet e qeverisjes, sipas tij, nuk janë ndërtuar kapacitete të reja energjetike, raporton Spektatori.
“Pse Kurti nuk ka bërë absolutisht asgjë në gjashtë vite të qeverisjes së tij sa i përket ndërtimit të kapaciteteve të reja energjetike?”, tha ish-deputeti i LDK-së.
Hoti ka ngritur edhe pyetjen se kujt i shërben, sipas tij, varësia e Kosovës nga importi i energjisë, duke theksuar se tema energjetike po trajtohet me lehtësi nga disa aktorë politikë.
Duke e cilësuar çështjen e gazit si strategjike, Hoti ka thënë se ajo lidhet me orientimin gjeopolitik të vendit dhe raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Nëse ekziston kauzë për të cilën duhet dalë në rrugë në protesta demokratike deri në largimin e kësaj qeverie është ky projekt i gazit”, ka deklaruar Hoti, duke kërkuar mobilizim qytetar.
Ai ka shtuar se heshtja ndaj kësaj çështjeje, sipas tij, nuk është neutralitet: “Heshtja përballë një dëmi të tillë nuk është neutralitet – është bashkëfajësi”.
Hoti ka përmendur edhe çështje të tjera si arsye për protesta, duke rikujtuar suspendimin e Kosovës nga stërvitja ushtarake “Defender Europe 2023” dhe pezullimin e dialogut strategjik Kosovë–SHBA në shtator 2025.
Në fund të statusit, ai ka kritikuar edhe opozitën, duke thënë se kauzat politike shpesh zëvendësohen me kalkulime për pushtet, gjë që sipas tij ka ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve.



