Hoti: Heshtja nuk është opsion kur qeveria kundërshton projektin e gazit, reagimi qytetar – i domosdoshëm

Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka deklaruar se projekti i gazit amerikan është “shumë më i madh dhe më serioz” sesa po paraqitet publikisht, duke e lidhur atë me orientimin strategjik të vendit dhe raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një reagim të publikuar në Facebook, Hoti tha se çështja nuk duhet parë vetëm si projekt energjetik apo infrastrukturor, por si një test për kursin politik të Kosovës dhe raportin e saj me aleatin kryesor strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas ish-deputetit të LDK-së, heshtja nuk është opsion dhe reagimi qytetar është i domosdoshëm.

“Çështja e projektit të gazit është shumë më e madhe dhe më serioze sesa po paraqitet sot. Kjo nuk është vetëm një çështje infrastrukture apo energjie është një provë e qartë për orientimin strategjik të Kosovës dhe për raportin tonë me aleatin tonë historik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkroi ai.

“Në një kohë kur qeveria po e kundërshton këtë projekt, heshtja nuk është opsion. Reagimi qytetar është i domosdoshëm për të treguar se populli i Kosovës mbetet fuqishëm i rreshtuar krah aleancës me SHBA-në dhe vlerave euroatlantike. Kosova nuk guxon të largohet nga rruga që e ka sjellë deri këtu. Ky është moment për zërin e qytetarëve”, përfundoi Hoti.

Lexo edhe:

Back to top button