
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka thënë se pret një ndryshim të qasjes politike dhe krijimin e hapësirës për një marrëveshje që do të mundësonte funksionalizimin e Kuvendit.
Duke folur para vazhdimit të seancës konstituive, Haziri tha se grupi parlamentar i LDK-së do të mblidhet gjatë mëngjesit dhe se deputetët e kësaj partie janë ftuar të marrin pjesë në seancë.
“Ne e kemi grupin parlamentar këtë mëngjes. Natyrisht që jemi ftuar për të marrë pjesë në seancën konstitutive”, tha Haziri.
Ai shprehu shpresën se gjatë ditës do të ketë një ndryshim të qasjes dhe se partive politike do t’u jepet mundësia për të gjetur zgjidhje politike për tejkalimin e situatës në Kuvend.
“Po presim që zgjidhjet politike në drejtim të normalizimit të Kuvendit të Republikës me u dhënë shans dhe mundësi zbatimit të zgjedhjeve edhe në rastin e qeverisë, edhe në rastin e presidentit, çfarëdo gjendje që ndërtojnë partitë politike sot”, tha ai.
Haziri kritikoi zhvillimet e një dite më parë, duke thënë se, sipas tij, LDK-ja kishte kërkuar respektimin e Kushtetutës dhe konstituimin e Kuvendit.
“Përkundër zhvillimeve të djeshme dhe thirrjeve tona që të respektohet Kushtetuta dhe të konstituohet Kuvendi, u pa që partia e parë e neglizhoi, e mbylli ditën e djeshme”, deklaroi Haziri.
I pyetur nëse kishte informacione nëse janë procesuar nënshkrimet për thirrjen e seancës së mbrëmshme, pas deklaratave se ato nuk ishin protokolluar, Haziri tha se kjo çështje nuk lidhet me LDK-në.
“S’ka të bëjë me LDK-në, as me mua çështja e nënshkrimeve. S’po kuptoj për çka dhe çfarë nënshkrime po flitni këtë mëngjes”, tha ai.
Pas sqarimit se bëhej fjalë për një iniciativë të ndërmarrë nga Lëvizja Vetëvendosje, Haziri tha se përgjigjet duhet të kërkohen nga ata që e kanë ndërmarrë atë.
“Pyetni ata që kanë shkaktuar procese të tilla. Nuk ka të bëjë me LDK-në”, përfundoi Haziri.



