Haziri: Pa LDK-në nuk ka as zgjidhje, as zgjedhje në Kosovë

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka reaguar ndaj kritikave dhe debateve të fundit rreth partisë, duke thënë se e kupton interesimin e atyre që japin këshilla për mënyrën se si duhet të veprojë LDK-ja, por se, sipas tij, pas një pjese të tyre qëndrojnë agjenda të caktuara.

“Në politikë jam 38 vjet. E di saktë për kë bëhen këto dhe për çfarë agjendash”, shkroi Haziri në Facebook.

Ai tha se i kupton më së shumti aktivistët dhe militantët e LDK-së, të cilët, sipas tij, e duan partinë fituese dhe kërkojnë përgjegjësi nga drejtuesit sa herë që ajo nuk del e para në zgjedhje.

Megjithatë, Haziri kritikoi ata që, sipas tij, fillimisht e “lartësonin” LDK-në dhe më pas “shkruan nekrologji” për të, duke theksuar se partia “i takon anëtarësisë dhe jo funksionarëve”.

Sipas Hazirit, LDK-ja ka kapacitet të përballet me sfidat politike të vendit përmes debatit të brendshëm, marrëveshjeve politike dhe demokracisë së brendshme.

Ai vlerësoi se periudha pas pavarësisë dhe pas epokës së Ibrahim Rugovës ka dëshmuar se “pa LDK-në nuk ka as zgjidhje e as zgjedhje”, ndërsa shtoi se stabiliteti dhe normalizimi i Republikës kalojnë përmes rolit të kësaj partie.

Në reagimin e tij, Haziri tha se koha, sipas tij, ka dëshmuar se rikthimi i LDK-së mund të arrihet përmes një marrëveshjeje të madhe politike, pa cenuar demokracinë e brendshme të partisë.

Ai e përmbylli mesazhin duke vlerësuar se LDK-ja ishte “parti ringritëse” në periudha të vështira, duke shtuar se ajo nisi ringritjen e shoqërisë në kohën kur, sipas tij, shumë të tjerë ishin dorëzuar.

Lexo edhe:

Back to top button