Haxhiu kundër zgjedhjeve të reja: “Kushdo që ka probleme, t’i drejtohet Kushtetueses”

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë thirrje që partitë politike të marrin pjesë në seancën konstituive të Kuvendit dhe të kërkojnë një marrëveshje për tejkalimin e ngërçit politik, duke kundërshtuar mundësinë që vendi të shkojë sërish në zgjedhje.

Duke folur para vazhdimit të seancës, Haxhiu tha se deputetëve duhet t’u jepet mundësia të bëjnë përpjekje maksimale për konstituimin e Kuvendit. Ajo kundërshtoi interpretimin sipas të cilit afati për konstituimin e Kuvendit tashmë ka përfunduar.

“Në vitin e kaluar, prej momentit kur Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim që brenda 30 ditëve duhet të konstituohet Kuvendi i Republikës së Kosovës, e deri në konstituim kanë kaluar diku 160 ditë — pra jo 30, po 160 ditë”, tha Haxhiu.

Sipas saj, duke përjashtuar periudhën kur çështja ishte në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese, kishin kaluar rreth 59 ditë deri në konstituimin e Kuvendit.

Haxhiu tha se ushtruesja e detyrës së presidentes ka 30 ditë nga certifikimi i rezultateve për ta thirrur seancën konstituive, ndërsa theksoi se deputetëve nuk duhet t’u kufizohet mundësia për të gjetur zgjidhje.

“Tash po u mbetet deputetëve vetëm një ditë përpjekje, nëse flasim për këtë interpretim, vetëm një ditë përpjekje për ta konstituar Kuvendin. Kjo s’ka logjikë. Deputetët duhet ta kenë mundësinë që të bëjnë përpjekje maksimale për konstituimin e Kuvendit”, tha ajo.

Haxhiu e lidhi konstituimin e Kuvendit edhe me zgjedhjen e presidentit, duke thënë se pas konstituimit nis afati prej 60 ditësh për zgjedhjen e presidentit.

Ajo tha se sheh një përpjekje për ta çuar vendin në zgjedhje të reja, por vlerësoi se një skenar i tillë nuk është në interes të qytetarëve.

“Duket që ka një përpjekje, që unë s’po e kuptoj, që vendi të shkojë sërish në zgjedhje të parakohshme, por e kanë gabim. Kushdo që përpiqet që përmes veprimeve të tilla ta çojë vendin në zgjedhje, mendoj që ka shumë gabim, sepse qytetarët e Republikës së Kosovës na kanë votuar për të kontribuuar për marrëveshje, e jo që të veprojmë në mënyrë të tillë dhe të përpiqemi që ta çojmë vendin në zgjedhje. Nuk na duhen zgjedhjet”, u shpreh Haxhiu.

Ajo u bëri thirrje partive politike dhe deputetëve që të marrin pjesë në seancë dhe të angazhohen për një marrëveshje.

“Unë i thërras partitë politike që të vijnë sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Po ashtu i thërras deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, liderët e partive politike, që të bëjnë përpjekje maksimale që të arrijmë një marrëveshje, sepse vetëm duke u takuar me njëri-tjetrin mund të arrijmë një marrëveshje”, tha ajo.

Sipas Haxhiut, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka ftuar subjektet politike për takime dhe ajo tha se nuk e kupton refuzimin e tyre për të marrë pjesë.

E pyetur se kush do të propozohet për kryetar të Kuvendit në mungesë të një marrëveshjeje politike, Haxhiu tha se kjo përgjegjësi i takon Lëvizjes Vetëvendosje.

“I takon Lëvizjes Vetëvendosje që të bëjë propozimin për kryetar të Kuvendit”, tha ajo.

Haxhiu pretendoi se Vetëvendosje ka ofruar edhe pozitën e kryetarit të Kuvendit për subjektet opozitare, me qëllim që të arrihet një marrëveshje dhe të shmangen zgjedhjet e reja.

Ajo kritikoi bojkotin dhe akuzat mes partive, duke thënë se dallimet politike mund të diskutohen pasi të arrihet një marrëveshje për funksionalizimin e institucioneve.

Lidhur me pretendimet se seanca e sotme mund të jetë antikushtetuese për shkak të përfundimit të afatit për konstituimin e Kuvendit, Haxhiu tha se çdo subjekt që e kundërshton atë mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

“Kushdo që ka probleme me seancën e sotme, unë e ftoj që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese”, tha ajo.

Haxhiu argumentoi se Gjykata Kushtetuese e ka trajtuar edhe më parë çështjen e konstituimit të Kuvendit si çështje kushtetuese.

Haxhiu foli edhe për kërkesën e deputetëve opozitarë për mbajtjen e seancës, duke thënë se 40 nënshkrimet, sipas saj, nuk i janë dorëzuar kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari.

“40 nënshkrime nuk i janë drejtuar zotit Avni Dehari, pra kryesuesit të seancës. Prandaj unë s’po e kuptoj pse s’i kanë dërguar. Në qoftë se ata kanë dashur që të mbahet seanca, është kaq e thjeshtë: i dorëzon 40 nënshkrime”, tha Haxhiu.

Ajo tha se administrata e Kuvendit ishte njoftuar për synimin e deputetëve për të mbajtur seancë, por sipas saj, njoftimi nuk është i njëjtë me protokollimin e nënshkrimeve.

“Njoftimi — kjo është e vërtetë — njoftimi që do të shkojnë në seancë ka ndodhur, mirëpo është i pamjaftueshëm. Duhet që të protokollohen 40 nënshkrime. Nuk ka ndodhur kjo dhe unë s’po e kuptoj pse s’ka ndodhur”, deklaroi ajo.

Haxhiu shtoi se, nëse nënshkrimet do të ishin protokolluar, sipas saj, kryesuesi i seancës do të ishte i obliguar ta thërriste seancën.

Lexo edhe:

Back to top button