
Kandidatët për deputetë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu dhe Qëndrim Kryeziu, kanë dorëzuar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke kundërshtuar rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 7 qershorit të publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Në një deklarim për media, Haxhiu tha se rezultati i shpallur nuk duhet të certifikohet, pasi sipas tij është i pasaktë dhe nuk është verifikuar plotësisht.
“Sot, së bashku me kandidatin për deputet Qëndrim Kryeziu, kemi dorëzuar ankesën në PZAP, pasi rezultati përfundimtar i publikuar nga KQZ-ja është i pasaktë. Ai nuk mund të certifikohet në këtë formë, sepse ligji garanton që rezultati përfundimtar duhet të jetë i saktë”, deklaroi Haxhiu.
Ai argumentoi se ankesa mbështetet në dy fakte kryesore. Sipas tij, gjatë rinumërimit të 5.201 votave të PDK-së janë konstatuar 221 vota të regjistruara gabimisht në numërimin fillestar, ndërsa atij personalisht i janë shtuar gjashtë vota.
Po ashtu, Haxhiu tha se edhe kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka pranuar se në rezultatet përfundimtare ka pasur gabime, të cilat i ka cilësuar si “gabime minimale e njerëzore”.
“Rinumërimi i vetëm 3.5 për qind të votave të PDK-së ka dëshmuar se ka pasur gabime në numërimin fillestar. Gabimi i evidentuar arrin në 4.25 për qind të votave preferenciale të kandidatëve të PDK-së dhe ligji nuk lejon të certifikohet një rezultat me gabime”, u shpreh ai.
Haxhiu kujtoi se një situatë e ngjashme kishte ndodhur edhe në zgjedhjet lokale të 28 dhjetorit të vitit të kaluar, kur pas rinumërimit të plotë, sipas tij, rezultati i tij ishte rritur me 522 vota.
Sipas tij, diferenca aktuale prej 102 votash për fitimin e mandatit është më e vogël sesa marzhi i gabimit të evidentuar, prandaj kërkesa e tyre është që PZAP të urdhërojë rinumërimin për të garantuar një rezultat të saktë dhe të pakontestueshëm.
Edhe kandidati tjetër i PDK-së, Qëndrim Kryeziu, tha se kërkesa e tyre nuk është e jashtëzakonshme, por synon vetëm zbatimin e ligjit.
“Ligji nuk thotë që gabimet, sado të vogla qofshin, duhet të falen. Ai kërkon që çdo votë të numërohet. Ne po kërkojmë vetëm që votat e qytetarëve të numërohen saktë dhe të respektohet vullneti i tyre”, deklaroi Kryeziu.



