Haradinaj: Qeveria me qasje armiqësore ndaj fermerëve, të kompensohen dëmet

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, i bëri thirrje të hënën institucioneve që t’i adresojnë kërkesat e fermerëve dhe t’i kompensojnë dëmet e tyre, pasi disa prodhues hodhën qumësht në rrugë dhe lumenj në shenjë proteste për vështirësitë në shitjen e prodhimit.

Haradinaj tha se pamjet e protestës së fermerëve janë “të dhimbshme dhe shqetësuese”, duke e lidhur situatën me vështirësitë që, sipas tij, ata po hasin në treg.

“Pamjet e derdhjes së qumështit nga fermerët në lumenj dhe në rrugë janë të dhimbshme dhe shqetësuese. Si pasojë e vështirësive të krijuara në shitjen e prodhimit të tyre, fermerët po detyrohen të ndërmarrin edhe veprime të tilla ekstreme në shenjë proteste”, shkroi Haradinaj në Facebook.

Ai akuzoi qeverinë në detyrë se po dëmton prodhuesit vendorë dhe sektorin e bujqësisë.

“Qeveria në detyrë, me qasje armiqësore, po godet direkt prodhuesin vendor, mirëqenien e fermerit, familjen e tij dhe gjithë ekonominë tonë”, tha ai.

Haradinaj u bëri thirrje institucioneve që të ndryshojnë qasjen ndaj fermerëve dhe të ndërmarrin masa për adresimin e situatës.

“Ftoj institucionet të reflektojnë dhe t’i marrin seriozisht kërkesat e fermerëve dhe t’i kompensojnë dëmet e shkaktuara. Të mos i trajtojnë si kundërshtarë, por si partnerë në zhvillimin ekonomik të vendit”, shkroi ai.

Lexo edhe:

Back to top button