Gjykata liron Sami Lushtakun dhe shtatë të tjerë nga akuzat për krim të organizuar

Gjykata Themelore në Prishtinë ka liruar nga akuzat Sami Lushtakun dhe shtatë të akuzuar të tjerë në rastin që lidhej me pretendimet për pengim të drejtësisë dhe pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal.

Vendimi u shpall këtë të martë nga trupi gjykues i përbërë nga kryetari Leon Përlaska dhe anëtarët Kushtrim Shyti e Rrahman Beqiri.

Sipas arsyetimit të gjykatës, nuk është provuar se Sami Lushtaku, Ismet Haxha, Rrustem Rukolli, Fatmir Mjaku, Rexhep Xhota, Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani kanë kryer veprat penale për të cilat akuzoheshin. Për këtë arsye, ata u shpallën të pafajshëm për akuzat që lidhen me “Pjesëmarrjen në një grup të organizuar kriminal”, “Pengimin e dëshmisë apo procedurës zyrtare” dhe “Frikësimin gjatë procedurës penale”.

Gjykata vendosi gjithashtu që shpenzimet e procedurës penale të mbulohen nga buxheti i saj.

Ky proces gjyqësor kishte vazhduar vetëm për pikat 16, 17 dhe 18 të aktakuzës, pasi procedura ndaj këtyre të akuzuarve ishte veçuar nga pjesët e tjera të rastit.

Rasti buron nga aktakuza e ngritur më 17 nëntor 2016 nga prokurori i EULEX-it, Romulo Matues, e cila lidhej me ngjarjet pas arratisjes së Sami Lushtakut dhe personave të tjerë nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) në vitin 2014, derisa po merrnin trajtim mjekësor gjatë kohës së paraburgimit në rastin e njohur si “Grupi i Drenicës”.

Në pikat për të cilat u zhvillua gjykimi, Prokuroria pretendonte se të akuzuarit kishin ndikuar mbi dëshmitarët në rastin P.938/13 për të ndryshuar deklaratat e tyre, përmes premtimeve për përfitime, pagesave apo kërcënimeve, duke penguar kështu zhvillimin e procedurës penale. Gjithashtu, sipas aktakuzës, Sami Lushtaku dhe Ismet Haxha akuzoheshin se kishin organizuar një grup kriminal, ndërsa të akuzuarit e tjerë se kishin marrë pjesë në të.

Megjithatë, Gjykata Themelore vlerësoi se këto pretendime nuk u provuan gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe vendosi lirimin e të gjithë të akuzuarve nga këto pika të aktakuzës.

Ky rast kishte kaluar nëpër disa faza gjyqësore ndër vite. Në vitin 2018, Gjykata Themelore kishte refuzuar kërkesat e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës, vendim që ishte lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit. Ndërkohë, në një procedurë të veçantë, Mirvete Hasani-Lushtaku kishte pranuar fajësinë për veprën penale “Lehtësim i arratisjes së personit të privuar nga liria” dhe ishte dënuar me 3 mijë e 500 euro gjobë.

Po ashtu, në prill të vitit 2020, Gjykata Themelore kishte shpallur aktgjykimin në rastin që lidhej me arratisjen e Lushtakut nga QKUK. Në atë rast, Lushtaku ishte liruar nga akuza për arratisjen e vitit 2014, por ishte dënuar me 12 mijë euro gjobë për dy raste të tjera të arratisjes në vitin 2015. Shumica e të akuzuarve të tjerë ishin liruar, ndërsa për disa prej tyre vendimi ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, për t’u liruar më pas edhe në atë procedurë.

Lexo edhe:

Back to top button