
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka shprehur dyshime lidhur me mënyrën se si është zhvilluar votimi i diasporës në zgjedhje, duke pretenduar se rezultatet nuk pasqyrojnë vullnetin real të bashkatdhetarëve.
Në një intervistë dhënë mbrëmë në emisionin “Click” në RTV21, Gjini ka deklaruar se votat e diasporës, sipas tij, janë patronazhuar, duke ngritur akuza për ndërhyrje në procesin e votimit.
“Janë duke i patronazhu votat e diasporës, nuk ka votu diaspora ashtu qysh kanë dalë rezultatet. Ta keni të saktë këtë punë, pyetni diasporën, atje ka njerëz fantastik”, deklaroi ai.
“Po ju tregoj që sot na dëshmojnë se vota është patronazhu. Çka do të thotë kjo: kanë shku, ju kanë mbledh fletëvotimet një grupi të caktum të komunitetit në diasporë, e dikush ka dhënë me vullnet, dikush i ka marrë do lekë. Nuk është e vërtetë që diaspora me këtë përqindje mendon që njerëzit që duan veç për veti sot duan me qenë në pushtet”, ka thënë Gjini.



