FSK-ja drejt Gazës, Maqedonci premton zgjidhjen e “borxhit” ndaj ushtarëve për orët shtesë

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se Forca e Sigurisë së Kosovës është e gatshme të dërgojë pjesën tjetër të kontingjentit në misionin ndërkombëtar në Gaza, sapo të marrë kërkesën nga komanda e forcës stabilizuese.

Në një intervistë për “Ekonomia Online”, Maqedonci tha se Kosova ka qenë ndër vendet e para që ka ndërmarrë hapa konkretë për përfshirjen në këtë mision, duke dërguar fillimisht ekipe për vlerësim të situatës dhe më pas pjesëtarë të FSK-së në kuadër të shtabit të misionit.

“Jemi në koordinim të vazhdueshëm me shtabin kryesor të forcës ndërkombëtare stabilizuese. Kemi qenë ndër shtetet e para që kemi dërguar ekipin për vlerësimin e situatës dhe njohjen e terrenit, si dhe ndër të parat që kemi filluar dërgimin e trupave”, tha Maqedonci.

Ai bëri të ditur se dy pjesëtarë të FSK-së janë dërguar më herët si oficerë ndërlidhës, ndërsa gjatë muajit të fundit janë angazhuar edhe katër pjesëtarë të tjerë në strukturat e shtabit.

“Pjesën tjetër të kontingjentit e kemi të përgatitur. Nëse kërkohet sot nga komanda, ne nesër e kemi të mundshme ta dërgojmë”, deklaroi ministri në detyrë.

Maqedonci theksoi se siguria e ushtarëve kosovarë mbetet prioritet kryesor, duke pranuar se misioni zhvillohet në një zonë me rrezikshmëri të lartë.

“Siguria e trupave tona është prioritet absolut i imi, i Qeverisë së Kosovës dhe i komandantit të FSK-së. Pikërisht për këtë arsye kemi dërguar më herët ekip për njohjen e terrenit dhe për marrjen e masave që të zvogëlohet rreziku”, u shpreh ai.

Sipas tij, tensionet në Lindjen e Mesme kanë ndikuar edhe në ritmin e vendosjes së plotë të forcës ndërkombëtare stabilizuese.

Duke folur për zhvillimin e FSK-së, Maqedonci tha se shumica e objektivave të planit gjithëpërfshirës të tranzicionit jo vetëm janë përmbushur, por edhe janë tejkaluar.

“Kur kthehemi te plani gjithëpërfshirës i tranzicionit, mund të themi se shumë prej objektivave janë arritur. Kemi më shumë sisteme armatimi dhe pajisje sesa kanë qenë të planifikuara”, tha ai.

Ai përmendi investimet mbi 460 milionë euro në armatim dhe automjete taktike luftarake, duke shtuar se janë bërë investime edhe në infrastrukturë, trajnim dhe zhvillim të personelit.

Sipas Maqedoncit, FSK-ja tashmë është e pajisur edhe me sisteme të ndryshme të dronëve, përfshirë Bayraktar, Skydagger dhe Puma.

“Ka pasur pajisje që i kemi siguruar para afateve të planifikuara, por edhe disa që janë vonuar. Megjithatë, drejtimi i zhvillimit të kapaciteteve ka vazhduar”, tha ai.

Ai bëri të ditur se prioritetet e radhës janë forcimi i mbrojtjes ajrore dhe zhvillimi i kapaciteteve të mbështetjes ajrore me helikopterë.

Sa i përket çështjes së pagesës së orëve shtesë për pjesëtarët e FSK-së, Maqedonci tha se Ministria e Mbrojtjes është në diskutime me Ministrinë e Financave për gjetjen e një zgjidhjeje.

Ai pranoi se kompensimi i orëve shtesë mbetet një nga çështjet që duhet të adresohet.

“Një ndër çështjet që duhet të punojmë për ta zgjidhur është pagesa e orëve shtesë. Ne i kemi adresuar kërkesat te Ministria e Financave për të siguruar mjetet e nevojshme”, tha Maqedonci.

Sipas tij, ushtarët kompensohen në dy forma: përmes ditëve të lira dhe përmes pagesës financiare.

“Për shkak të aktiviteteve të shumta, vetëm ditët e lira nuk mjaftojnë për të kompensuar gjithë punën shtesë të pjesëtarëve të FSK-së. Prandaj duhet të gjendet mënyra që pjesa tjetër të mbulohet financiarisht”, deklaroi ai.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka evidentuar se obligimet e papaguara për orët shtesë të pjesëtarëve të FSK-së gjatë vitit 2025 kanë arritur në rreth 2.87 milionë euro.

Sipas Auditorit, Ministria e Mbrojtjes kishte kërkuar buxhet shtesë nga Ministria e Financave për pagesën e këtyre obligimeve, por kërkesa nuk ishte mbështetur.

Maqedonci tha se pret që përmes koordinimit ndërinstitucional të gjendet një zgjidhje.

“Besoj që do të gjendet një zgjidhje për ta adresuar këtë problem, ashtu siç janë zgjidhur shumë çështje të tjera në Forcën e Sigurisë së Kosovës”, përfundoi ai.

Lexo edhe:

Back to top button