Dhjetëra pozita në ATK mbahen për vite jashtëligjshëm me ushtrues detyre

Një praktikë që ligji e parasheh si zgjidhje të përkohshme për maksimumi një vit, në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) është shndërruar në një sistem që ka zgjatur deri në gati katër vjet, raporton Spektatori.

Raporti i vitit 2025 i Zyrës Kombëtare të Auditimit për Ministrinë e Financave ka zbuluar se dhjetëra pozita në ATK janë mbajtur me ushtrues detyre dhe zëvendësues për periudha shumë më të gjata sesa lejon ligji, duke ngritur pikëpyetje serioze për menaxhimin e institucionit që mbledh të hyrat kryesore tatimore të vendit.

Auditorët konstatuan se ATK kishte 81 pozita të mbuluara me vendime për ushtrues detyre ose zëvendësim, ndërsa në 58 raste zyrtarët kishin qëndruar në këto pozita nga 22 deri në 41 muaj. Ligji për Administrimin e Procedurave Tatimore e kufizon këtë praktikë në maksimum 12 muaj.

Kjo do të thotë se disa zyrtarë kanë ushtruar funksione drejtuese për më shumë se trefishin e afatit të lejuar me ligj.

“Pozita e lirë e punës mund të plotësohet me anë të emërimit të përkohshëm të zyrtarit të ATK-së në atë pozitë deri në dymbëdhjetë (12) muaj”, thuhet në nenin 78 të Ligjit për Administrimin e Procedurave Tatimore.

Megjithatë, sipas auditorëve, kjo dispozitë nuk është respektuar në praktikë.

Raporti tregon se vendimet për emërimin e zyrtarëve si zëvendësues janë nxjerrë gjatë viteve 2022, 2023 dhe 2024, dhe në disa raste janë bazuar në një bazë ligjore që ndërkohë ishte shfuqizuar. Deri në përfundim të auditimit nuk ishin bërë harmonizimet e nevojshme me kornizën e re ligjore.

Gjetja nxjerr në pah një problem të përsëritur: pozita të rëndësishme drejtuese nuk janë plotësuar përmes konkurseve të rregullta, por janë mbajtur për vite me emërime të përkohshme që janë zgjatur vazhdimisht.

Sipas auditimit, arsyeja kryesore lidhet me mosfinalizimin e procesit të ristrukturimit dhe sistematizimit të vendeve të punës. ATK nuk e kishte përfunduar harmonizimin e strukturës organizative me legjislacionin përkatës, një hap që konsiderohet parakusht për rekrutim të rregullt.

Por auditorët paralajmërojnë se pasojat nuk janë vetëm administrative, raporton Spektatori.

“Mbajtja e pozitave me ushtrues detyre për një kohë më të gjatë se afati i paraparë ligjor dhe mosplotësimi i tyre me staf të rregullt mund të ndikojë në efikasitetin operacional dhe arritjen e objektivave strategjike të entitetit”, thuhet në raport.

Në thelb, auditimi nxjerr në pah se një pjesë e strukturës menaxheriale të ATK-së ka funksionuar për vite me radhë mbi baza të përkohshme, në vend të emërimeve të rregullta dhe konkurruese.

Përballë kësaj situate, Zyra Kombëtare e Auditimit i ka kërkuar Ministrit të Financave, Hekuran Murati, që përmes drejtorit të ATK-së, Mentor Hyseni, të përfundojë procesi i ristrukturimit, të harmonizohen aktet e brendshme dhe të hapen procedurat e rregullta të rekrutimit, për t’i dhënë fund kësaj praktike.

Menaxhmenti i Ministrisë së Financave është pajtuar me gjetjet dhe rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit./Spektatori.com

Lexo edhe:

Back to top button