Deponia e Sferkës në Prokurori, Bajrami kërkon hetim për rrezikimin e qytetarëve

Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka bërë të ditur se ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë e Shtetit dhe Prokurorinë Speciale lidhur me gjendjen në deponinë e mbeturinave në Sferkë të Pejës.

Përmes një postimi në Facebook, Bajrami tha se kallëzimin penal e ka adresuar te Kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi, dhe Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, duke kërkuar hetim për përgjegjësinë e institucioneve dhe personave që kanë pasur kompetenca në menaxhimin e kësaj deponie.

“Kam dorëzuar kallëzim penal lidhur me gjendjen alarmante në deponinë e mbeturinave në Sferkë, Komuna e Pejës”, ka shkruar Bajrami.

Ajo ka deklaruar se deponia është përfshirë nga zjarri prej pesë ditësh, duke rrezikuar, sipas saj, shëndetin e qytetarëve dhe mjedisin.

“Rreziku nuk ka filluar me zjarrin. Për më shumë se një dekadë, pas përfundimit të menaxhimit dhe mirëmbajtjes së deponisë nga kontingjenti italian i KFOR-it, mbeturinat e pesë komunave nuk janë trajtuar sipas standardeve sanitare”, ka thënë ajo.

Sipas Bajramit, mbeturinat nuk janë groposur dhe mbuluar me dhe, duke krijuar një grumbull të madh mbetjesh që ka ndotur ajrin, tokën dhe ujërat.

“Për shkak të zjarrit, sot po lirohen sasi të mëdha tymi dhe substanca të rrezikshme që rrezikojnë drejtpërdrejt jetën dhe shëndetin e qytetarëve”, ka deklaruar deputetja e zgjedhur e LDK-së.

Ajo ka bërë të ditur se përmes kallëzimit penal ka kërkuar që të hetohet përgjegjësia e Kompanisë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK), por edhe e institucioneve tjera, përfshirë Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, si dhe Qeverinë e Kosovës.

“Kam kërkuar që Prokuroria të zhvillojë hetime të plota për të sqaruar përgjegjësinë për rrezikimin e shëndetit publik, ndotjen dhe dëmtimin e mjedisit, si dhe nëse ka pasur mosveprim apo keqpërdorim të detyrës zyrtare”, ka shkruar Bajrami.

Ajo ka kërkuar që rasti të trajtohet me prioritet dhe që personat apo institucionet përgjegjëse të përballen me përgjegjësi ligjore.

“E drejta për të jetuar në një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm është e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe mbrojtja e saj është detyrim ligjor i çdo institucioni”, ka theksuar Bajrami.

Në fund, ajo ka kërkuar nga institucionet ndërmarrjen e hapave konkretë për sanimin e gjendjes dhe mbylljen përfundimtare të deponisë së Sferkës.

Lexo edhe:

Back to top button