Çitaku: VV-ja ka kundërshtuar pothuajse çdo projekt energjetik

Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se debati për gazin amerikan në Kosovë nuk duhet parë si çështje teknike apo energjetike, por si çështje të sigurisë kombëtare.

“Debati për gazin amerikan nuk është debat për një projekt teknik. Nuk është debat për një tubacion apo për një central energjetik. Ky është debat për sigurinë kombëtare të Kosovës”, ka deklaruar Çitaku në Facebook.

Ajo tha se Kosova po përballet me një moment të rëndësishëm strategjik.

“Kosova po përballet me një nga momentet më të rëndësishme strategjike që nga shpallja e pavarësisë”, ka thënë ajo.

Çitaku shtoi se siguria energjetike është e lidhur drejtpërdrejt me sigurinë shtetërore dhe pozicionin gjeopolitik të vendit.

“Në botën e sotme, pavarësia energjetike është pjesë e pavarësisë shtetërore”, ka deklaruar ajo.

Ajo theksoi se energjia është bërë pjesë e konkurrencës strategjike globale.

“Në botën e sotme, luftërat moderne nuk zhvillohen vetëm me tanke dhe armë. Ato zhvillohen me energji, me zinxhirë furnizimi, me kontroll mbi burimet strategjike dhe me aftësinë e një shteti për t’i mbrojtur qytetarët e vet nga krizat”, ka thënë Çitaku.

Duke folur për politikat energjetike në Kosovë, ajo kritikoi Lëvizjen Vetëvendosje.

“Fatkeqësisht, për vite me radhë, Lëvizja Vetëvendosje ka kundërshtuar pothuajse çdo projekt që do t’i siguronte Kosovës më shumë pavarësi energjetike. Fillimisht si opozitë, e më pas si qeveri. E shpeshherë edhe përmes formave të dhunshme”, ka deklaruar ajo.

Sipas Çitakut, kjo qasje ka ndikuar në rritjen e kostos së energjisë dhe varësinë nga importi, ndërsa vendet e rajonit kanë avancuar në diversifikimin e burimeve.

“Vetëm Kosova ka mbetur jashtë”, ka thënë ajo, duke iu referuar projekteve rajonale të energjisë.

Çitaku shtoi se partneriteti me Shtetet e Bashkuara duhet të përkthehet në projekte konkrete.

“Partneriteti me SHBA-në nuk matet vetëm me deklarata. Ai matet me vendime konkrete. Me projekte konkrete”, ka deklaruar ajo.

Ajo kërkoi që Kosova të jetë pjesë e projekteve strategjike perëndimore.

Lexo edhe:

Back to top button