BE-ja i kërkon sërish Kosovës ndaljen e rrënimeve në Veri deri në përfundimin e procedurave gjyqësore

Bashkimi Evropian ka përsëritur thirrjen ndaj institucioneve të Kosovës që të ndalin rrënimin e objekteve në veri të vendit, derisa të përfundojnë të gjitha procedurat gjyqësore lidhur me kontestet pronësore.

BE-ja ka shprehur keqardhje që autoritetet në Kosovë nuk i kanë marrë parasysh thirrjet e mëhershme për pezullimin e këtyre veprimeve, veçanërisht në zonën përreth Liqenit të Ujmanit.

Deklarata është bërë nga zëdhënësja e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Annita Hipper, gjatë një konference për media në Bruksel.

“Na vjen keq që rrënimi i shtëpive ka vazhduar, veçanërisht pasi ankesat lidhur me pronat janë ende në shqyrtim gjyqësor”, ka thënë Hiper.

Ajo ka bërë thirrje që institucionet e Kosovës të ndërpresin çdo veprim të mëtejshëm dhe të angazhohen me banorët e prekur dhe autoritetet lokale për të gjetur një zgjidhje ligjore.

“BE-ja u bën thirrje institucioneve të Kosovës që të ndalin çdo shembje të mëtejme dhe të punojnë me banorët e prekur dhe autoritetet lokale për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme ligjore”, ka deklaruar zëdhënësja e BE-së.

Sipas saj, çdo veprim, përfshirë rrënimet, duhet të pezullohet deri në një vendim përfundimtar të gjykatave kompetente.

“Çdo hap në drejtim të kundërt, përfshirë edhe shembjet, duhet të pezullohet derisa gjykatat kompetente të nxjerrin vendimin përfundimtar lidhur me ankesat”, ka shtuar ajo.

Komentet e BE-së erdhën pas pyetjeve lidhur me rrënimin e objekteve të ndërtuara pa leje, veprime këto të ndërmarra me kërkesë të ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenc”, dhe nëse ato mund të perceptohen si presion ndaj komunitetit serb që jeton në atë zonë.

Bashkimi Evropian edhe më herët kishte kërkuar nga autoritetet kosovare që të mos vazhdonin me rrënimin e këtyre objekteve, duke theksuar se për një pjesë të tyre janë ende duke u zhvilluar procedura gjyqësore.

Lexo edhe:

Back to top button