
Deputetja e zgjedhur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kërkuar sërish reflektim, përgjegjësi politike dhe zgjedhje të brendshme në parti, mes debateve të fundit për përgjegjësinë ndaj rezultatit zgjedhor dhe kërkesave nga disa degë për dorëheqjen e kryetarit Lumir Abdixhiku.
Në një reagim të publikuar në Facebook, Bajrami tha se qëndrimi i saj nuk ka ndryshuar që nga janari, kur kishte kërkuar dorëheqjen e Abdixhikut dhe kishte dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e nënkryetares së partisë.
“Zgjedhjet e brendshme janë zgjidhja, të sillemi me dinjitet, sepse pozitat nuk janë të përhershme”, shkroi ajo.
Bajrami tha se pas një rezultati të rëndë zgjedhor, përgjegjësia politike nuk mund të jetë selektive dhe se standardet duhet të vlejnë për të gjithë, duke përsëritur se parimi sipas të cilit “kush humb merr përgjegjësinë dhe lëshon rrugë” duhet të zbatohet pa përjashtim.
Ajo rikujtoi se në Kuvendin e LDK-së të mbajtur pas zgjedhjeve të janarit, kur Abdixhiku kishte vendosur mandatin e tij në votim, rreth 45 për qind e delegatëve ishin deklaruar në favor të dorëheqjes së tij.
Sipas Bajramit, ky rezultat kishte treguar qartë nevojën për reflektim të thellë dhe ndryshime brenda partisë, por kryetari kishte vendosur të vazhdonte mandatin, madje me kompetenca të zgjeruara të miratuara nga Kuvendi.
“Pas një rezultati tjetër zgjedhor që e la LDK-në përsëri në vendin e tretë dhe pas kërkesave publike të disa degëve për përgjegjësi politike, bëhet edhe më e qartë se problemet që i kishim identifikuar në janar nuk janë adresuar asnjëherë”, shkroi ajo.
Bajrami theksoi se LDK-ja ka nevojë për “reflektim të sinqertë, përgjegjësi politike dhe hapje të një kapitulli të ri”, duke shtuar se partia është “shumë më e madhe se secili prej nesh”.



