
Prokuroria Speciale ka njoftuar se ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave për veprat penale kundër rendit kushtetues.
Sipas njoftimit, të pandehurit janë D.M., D.D., M.R., N.J., N.O., dhe S.V., raporton Spektatori.
Të njëjtit akuzohen se, nga 10.12.2022 deri më 29.12.2022, në komunat veriore, “duke vepruar në bashkëkryerje dhe përmes përdorimit të forcës dhe dhunës, kanë penguar institucionet e Republikës së Kosovës në vendosjen e rendit kushtetues, ushtrimin e autoritetit shtetëror dhe kryerjen e detyrave zyrtare në këto komuna”.
Sipas aktakuzës, ata kanë bllokuar rrugët kryesore me mjete të rënda, përfshirë kamion të mbushur me zhavorr, ekskavatorë, autoambulanca, autobusë dhe automjete të tjera.
Po ashtu, në komunikatën e prokurorisë thuhet se nga veprimet e tyre rezulton se, në rast të ndërhyrjes së Policisë së Kosovës për largimin e barrikadave dhe rivendosjen e lirisë së lëvizjes, pjesëtarët e grupit kanë qenë të gatshëm t’i sulmonin zyrtarët policorë me mjetet që kishin në dispozicion.
Gjithashtu, Prokuroria njoftoi se ka pezullar hetimet ndaj Millan Radoiçiqit – i akuzuari si udhëheqës i të dyshuarve për sulmin në Banjskë ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku – dhe 10 personave të tjerë, pasi “janë të paaritshëm për organet e ndjekjes”.
“Ndërsa, ndaj të pandehurve M.R., A.S., A.F., A.J., R.S., S.A., D.V., S.P., V.R., M.R., dhe M.R., janë pezulluar hetimet, pasi ata deri më tani janë të paarritshëm për organet e ndjekjes”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë Speciale.
Bllokimi i rrugëve në Veri kishte nisur pas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës për arrestimin e ish-policit Dejan Pantiq, i dyshuar për organizimin e sulmit ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor në Mitrovicën e Veriut, ku ishin sulmuar edhe zyrtarë të KQZ-së dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Pantiq më 28 korrik të vitit 2025 është dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, pasi vepra penale i është ricilësuar nga terrorizëm në pjesëmarrje në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizëm, duke u dënuar me dy vite burgim. Ai, ishte arrestuar më 10 dhjetor 2022 në pikëkalimin kufitar në Jarinjë. /Spektatori.com



