
Një proces rekrutimi në Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP), ku në garë hynë dhjetëra kandidatë dhe në fund mbeti vetëm një emër, është vënë në pikëpyetje nga Zyra Kombëtare e Auditimit, e cila ka konstatuar se kandidatja e përzgjedhur nuk kishte ofruar dëshmi të mjaftueshme për përmbushjen e të gjitha kritereve të konkursit, raporton Spektatori.
Bëhet fjalë për konkursin e shpallur më 28 shkurt 2025 për pozitën e Zyrtarit të Lartë Ligjor. Sipas njoftimeve të publikuara nga Agjencia, gjashtë muaj më vonë, më 28 gusht 2025, gjithsej 48 kandidatë u vlerësuan se kishin përmbushur kriteret e përgjithshme dhe të veçanta për të vazhduar procedurën e rekrutimit.
Por kur procesi përfundoi, lista finale e publikuar më 20 tetor 2025 përmbante vetëm një emër. Sipas rezultateve zyrtare të AIP-së, e vetmja kandidate që kaloi pragun prej 70 pikësh nga testi me shkrim, intervista dhe vlerësimi i biografisë ishte Valbona Ismaili Ramadani, me 74.4 pikë në total.
Megjithatë, auditimi i kryer nga Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se dokumentacioni i paraqitur nga kandidatja e përzgjedhur nuk dëshmonte në mënyrë të mjaftueshme përmbushjen e të gjitha kushteve të konkursit.
Në raportin e auditimit për vitin 2025 thuhet se kandidatja e përzgjedhur “nuk kishte ofruar dëshmi të mjaftueshme për përmbushjen e të gjitha kritereve të përcaktuara në shpalljen e konkursit”.
Sipas auditorëve, konkursi kërkonte së paku dy vjet përvojë profesionale të dëshmuar me dokumentacion përkatës, si dhe dëshmi për trajnimet profesionale të ndjekura apo të realizuara.
Por gjatë shqyrtimit të dokumenteve, auditorët konstatuan se dëshmia kryesore e paraqitur për përvojën profesionale ishte një kontratë pune që mbulonte vetëm tetë muaj.
“Kontrata e punës mbulonte vetëm një periudhë prej tetë muajsh, e cila nuk dëshmonte përmbushjen e kërkesës së konkursit për dy vite përvojë profesionale”, thuhet në raport.
Po ashtu, sipas gjetjes, pasqyra e trustit pensional e paraqitur nga kandidatja nuk arrinte të provonte pozitën e punës dhe kohëzgjatjen e angazhimit në atë pozitë.
“Kandidatja kishte sjellë si dëshmi pasqyrën e trustit, mirëpo kjo nuk dëshmon pozitën e punës, si dhe kohëzgjatjen në atë pozitë”, theksojnë auditorët.
Auditimi identifikoi mangësi edhe në kriterin për trajnimet profesionale, shkruan Spektatori.
“Certifikatat e bashkëngjitura nuk dëshmonin pjesëmarrje në trajnimet profesionale të kërkuara sipas kushteve të konkursit dhe nuk ishin relevante për përmbushjen e këtij kriteri”, thuhet në raport.
Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, problemi nuk lidhet vetëm me dokumentacionin e kandidates fituese, por edhe me mënyrën se si u zhvillua verifikimi i aplikimeve.
“Kjo situatë ka ndodhur si rezultat i kontrolleve të pamjaftueshme gjatë procesit të verifikimit paraprak të dokumentacionit dhe moszbatimit të plotë të kritereve të konkursit nga Njësia e Burimeve Njerëzore”, vlerësohet në raport.
Gjetja ngre pikëpyetje mbi efektivitetin e mekanizmave të kontrollit në një proces që filloi me 48 kandidatë të kualifikuar dhe përfundoi me përzgjedhjen e vetëm një kandidati. Auditimi paralajmëron se raste të tilla mund të rrisin rrezikun që pozitat publike të plotësohen nga persona që nuk i përmbushin plotësisht kriteret e kërkuara.
“Mosrespektimi i kritereve të përcaktuara me konkurs publik rrit rrezikun e përzgjedhjes së kandidatëve që nuk i plotësojnë kushtet e kërkuara dhe mund të ndikojë negativisht në realizimin efektiv të detyrave dhe objektivave të pozitës”, thuhet në raport.
Për këtë arsye, Zyra Kombëtare e Auditimit ka rekomanduar forcimin e kontrolleve të brendshme dhe verifikimin e plotë të dokumentacionit të kandidatëve gjatë procedurave të rekrutimit.
Sipas raportit, menaxhmenti i Agjencisë për Informim dhe Privatësi është pajtuar me gjetjen dhe rekomandimin e auditorëve.
Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) – e cila aktualisht drejtohet nga komisionerja Krenare Sogojeva-Dërmaku – është agjenci e pavarur dhe përgjegjëse për mbikëqyrjen dhe zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Ligjit për Qasjen në Dokumente Publike në Republikën e Kosovës./Spektatori.com



