Abdixhiku e quan të mbarë takimin me Kurtin: Pa marrëveshje, vendi shkon në zgjedhje

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, e ka vlerësuar si të mbarë takimin e dytë me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke bërë të ditur se diskutimet mes dy subjekteve do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.

Pas përfundimit të takimit, i cili zgjati rreth tri orë, Abdixhiku tha se LDK-ja ka hyrë në këto bisedime me vullnet të mirë, duke respektuar rezultatin zgjedhor dhe me synimin për të shmangur zgjedhjet e reja.

“Morëm pjesë në takimin e dytë pas 7 qershorit me vullnet të mirë, respektim të rezultatit zgjedhor dhe gatishmërinë si LDK për të shmangur zgjedhjet e reja. Kështu e respektojmë interesin e LDK-së dhe shtetin. Ishte takim i mirë, i mbarë”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ai ka bërë të ditur se gjatë takimit janë diskutuar çështje që lidhen me ndryshime programore, politike dhe orientimet strategjike për të ardhmen.

“Do të përpiqemi edhe ditëve në vazhdim të kemi diskutime më thelbësore”, ka shtuar kreu i LDK-së.

Abdixhiku ka theksuar se partia e tij mbetet në qëndrimet e prezantuara më herët, duke insistuar se për formimin e institucioneve nevojitet një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

“Na duhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse që të ruhet balanca institucionale dhe të ketë balancë demokratike brenda institucioneve. Brenda këtyre balancave, LDK-ja duhet të ndihet e përfaqësuar, në të kundërt konstelacioni politik nuk do ta ketë fuqinë e nevojshme”, ka thënë Abdixhiku.

Kreu i LDK-së ka paralajmëruar se mungesa e një marrëveshjeje do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të reja.

“Nëse s’bëjmë asgjë, i vetmi skenar i garantuar janë zgjedhjet e reja”, ka deklaruar Abdixhiku.

Lexo edhe:

Back to top button