
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka cilësuar si aksion protestues incidentin në Kuvend, ku deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Haxhiu tha se nuk sheh problem në veprime të tilla të deputetëve, duke rikujtuar se edhe Lëvizja Vetëvendosje ka përdorur forma të ngjashme proteste gjatë aktivitetit të saj politik, brenda dhe jashtë Kuvendit.
“Nuk kam asnjë problem me një aksion të një deputeteje, siç ishte rasti i zonjës Time Kadriaj, por do të shtoja se LVV-ja që nga themelimi i saj, qoftë jashtë Kuvendit, qoftë brenda Kuvendit, ka ndërmarrë veprime apo aksione kushtetuese për shkak të kauzave që i ka pasur në vazhdimësi”, tha Haxhiu.
Ajo përmendi disa nga rastet kur, sipas saj, deputetë të LVV-së kishin përdorur hedhjen e vezëve si formë proteste ndaj zhvillimeve politike.
“Kujtoj që këtu janë hedhur vezët për të kundërshtuar Gjykatën Speciale, demarkacionin me Malin e Zi, Zajednicën dhe shumë të tjera të dëmshme në të kaluarën”, tha Haxhiu.
Duke iu referuar incidentit të fundit, ajo tha se nuk e konsideron situatën të krahasueshme me veprimet e mëhershme të LVV-së.
“Andaj nuk mendoj që është situatë e krahasueshme. Nëse dëshironi ta bëni, lirisht mund të bëni një gjë të tillë”, u shpreh ajo.
Haxhiu tha se nuk ndihet e shqetësuar nga këto veprime dhe se ato i sheh si forma proteste, ndërsa vlerësimin për mënyrën se si zhvillohen protestat politike, sipas saj, duhet ta bëjnë qytetarët.



