Haradinaj: Kurti dhe Haxhiu ia “dogjën” afatin kushtetues Kosovës

Deputeti i zgjedhur i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë të shtunën se Kosova ka hyrë në një “situatë të re kushtetuese”, pasi, sipas tij, ka kaluar afati për konstituimin e institucioneve.

Duke folur para vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit, Haradinaj ka akuzuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, se qëllimisht e kanë shtyrë procesin deri në ditën e fundit.

“Ajo që është më e keqja është se Kurti, Albulena e të tjerë, qëllimshëm ia kanë djegur Kosovës afatin kushtetues me zgjedhë seancën”, ka deklaruar Haradinaj.

Sipas tij, rezultatet e zgjedhjeve janë certifikuar rreth 48 ditë më parë, por deri atëherë nuk janë ndërmarrë hapa për përgatitjen e seancës së parë.

“E kanë shtyrë seancën në datën e fundit qëllimshëm, edhe qëllimshëm e kanë djegur afatin kushtetues me zgjedhë kryesinë e Kuvendit, pra me konstituuar Kuvendin, me zgjedhë kryetarin, me zgjedhë qeverinë, me zgjedhë presidentin”, tha ai.

Haradinaj tha se situata nuk duhet të trajtohet vetëm si përplasje mes pozitës dhe opozitës, pasi, sipas tij, pasojat prekin funksionimin e shtetit dhe rendin kushtetues.

“Pasojat nuk janë vetëm për pozitën apo për opozitën, por janë për themelet, rendin tonë kushtetues, të shtetit tonë, të arriturave tona”, u shpreh ai.

Haradinaj tha se tash duhet të shqyrtohet me kujdes mënyra se si mund të tejkalohet situata e krijuar.

“Unë jam këtu me kolegët e mi të Aleancës edhe me kolegë të tjerë që me pa se si mundemi me nxjerrë vendin nga situata e re e krijuar, që nënkupton djegia e afatit kushtetues për zgjedhjen e institucioneve. Çfarë do të bëjmë tutje duhet ta trajtojmë me kujdes”, tha ai.

I pyetur nëse deputetët e AAK-së do të marrin pjesë në seancën e sotme, Haradinaj tha se ata do të shkojnë për të diskutuar, por përsëriti se kalimi i afatit e ka ndryshuar situatën.

“Ne shkojmë në diskutim me siguri, por mos harrojmë edhe njëherë atë që e fola: afati kushtetues për fat të keq është djegur”, deklaroi Haradinaj.

Ai tha se Kosova ndodhet në një situatë që kërkon trajtim të kujdesshëm nga të gjitha forcat politike.

“Vendi ka hyrë në një situatë të re kushtetuese. Rendi ynë kushtetues pra ka hyrë në një situatë të re dhe duhet ta trajtojmë me kujdes”, tha ai.

Duke folur për mundësinë që çështja të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, Haradinaj tha se çdo hap duhet të ndërmerret në mënyrë që të mos shtohen pasojat.

“Çdo veprim që e marrim duhet ta bëjmë me aq kujdes, që mos t’i rritim pasojat e situatës së krijuar, por ta nxjerrim vendin nga kjo situatë e re”, tha ai.

Haradinaj e cilësoi situatën si të rrezikshme dhe tha se ekspertët e së drejtës kushtetuese duhet të ndihmojnë në përcaktimin e rrugës përpara.

“Jemi në një situatë të re, kemi hyrë në një situatë të rrezikshme për vendin e duhet të bëjmë kujdes”, deklaroi ai.

I pyetur nëse protestat mund të jenë një opsion nëse shterren mundësitë institucionale, Haradinaj tha se protesta është e drejtë demokratike, por fillimisht duhet të përdoren të gjitha mekanizmat për ruajtjen e rendit kushtetues.

“Dalja në rrugë është e drejtë edhe është mënyrë çdo herë, por ne duhet t’i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë si të ruhet rendi kushtetues”, tha Haradinaj.

Ai ngriti gjithashtu pikëpyetje nëse Kuvendi dhe deputetët e legjislaturës aktuale kanë ende mundësi për të prodhuar efekt institucional.

“Parlamenti i Kosovës, deputetët e kësaj legjislature nuk e di a e kanë më fuqinë me prodhuar ndonjë efekt”, tha ai.

Haradinaj shtoi se, nëse nuk gjendet një zgjidhje, mund të mbeten “shumë pak opsione”, duke përfshirë mundësinë e zgjedhjeve të reja.

“Po mbesin shumë pak opsione, ose po arrijmë aty ku ndoshta edhe qëllimi ka qenë që të na dërgojnë në zgjedhje prapë”, përfundoi ai.

Lexo edhe:

Back to top button