
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se pas takimit rreth tri orësh me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ekziston vullnet për bashkëpunim, por ka bërë të qartë se ende nuk është arritur marrëveshje politike.
Në një deklaratë për media pas takimit, Kurti e ka cilësuar si sinjal pozitiv gatishmërinë për komunikim mes dy subjekteve, duke theksuar se takimet mes partive politike nuk duhet të konsiderohen lajm.
“Ka shumë vullnet e zell për të punuar bashkë në të ardhmen. Kjo është optimiste për të dy subjektet tona, një gjë shumë e mirë për vendin tonë dhe qytetarët në përgjithësi”, ka thënë Kurti.
Megjithatë, ai ka shtuar se një marrëveshje mes Vetëvendosjes dhe LDK-së ende nuk ekziston.
“Lajm do të ishte sikur të kishim marrëveshje. Marrëveshje politike nuk kemi, por diskutuam për qasje të ndryshme, mundësitë që kemi përpara. Kemi nevojë për një marrëveshje politike që respekton rezultatin zgjedhor, nuk e zëvendëson atë”, ka deklaruar ai.
Kurti ka përmendur edhe mundësinë e zgjedhjeve të reja, nëse nuk arrihet një marrëveshje për krijimin e institucioneve.
“Askush nuk i do zgjedhjet e reja, por nëse nuk kemi marrëveshje, përkundër mosdëshirës, ato mund të shkaktohen. Jemi të vetëdijshëm edhe Vetëvendosje edhe LDK-ja”, ka thënë kryeministri në detyrë.
Ai ka bërë të ditur se palët do të vazhdojnë komunikimin, ndërsa ka theksuar se koha për një marrëveshje po shkurtohet.
“Nesër, pasnesër do të jemi në fillimin e seancës konstituive të Kuvendit dhe do të mundohemi që të kemi një zgjidhje”, është shprehur Kurti.
Duke folur për partitë e tjera, Kurti ka kritikuar mungesën e takimeve me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partinë Demokratike të Kosovës.
Ai ka thënë se nuk ka arritur të takohet me kryetarin e ri të AAK-së, Ardian Gjini, pavarësisht përpjekjeve të tij, ndërsa ka shtuar se me PDK-në është zhvilluar vetëm një takim.
“Vullneti dhe gatishmëria do të jenë gjithmonë aty. Nuk besoj që ka diçka për të cilën nuk pajtohemi, ka gjëra për të cilat pajtohemi”, ka thënë Kurti për partitë opozitare.



