Çitaku për takimin Kurti–Hamza: Nuk shkuam për pazare, por nuk pamë rezultate konkrete

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka thënë se takimi mes kryetarit të kësaj partie, Bedri Hamza, dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, nuk ka prodhuar rezultate konkrete për çështjet që, sipas saj, janë me rëndësi për vendin.

E ftuar në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, Çitaku tha se PDK-ja nuk ka marrë pjesë në takim për të negociuar poste apo për të bërë marrëveshje politike, por për të diskutuar për tema që ajo i konsideron të rëndësishme për interesin publik.

“Nuk kemi shkuar aty me bë pazar as me kërkua pozitë. Neve na intereson çka ndodh me gazin amerikan, si është e mundur që Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që me kryeneçësi refuzon kyçjen e Kosovës në një projekt i cili është shumë më shumë se projekt energjetik”, tha Çitaku.

Sipas saj, projekti i gazit nuk duhet të shihet vetëm si një çështje infrastrukturore, por si një projekt me ndikim më të gjerë politik dhe ekonomik.

“Është projekt politik, strategjik, ekonomik. Nuk reduktohet ideja e gazit amerikan në tuba, siç e kemi dëgjuar Albin Kurtin”, deklaroi ajo.

Çitaku kritikoi edhe mënyrën se si Kurti ka zhvilluar takimet me partitë politike, duke thënë se ato, sipas saj, nuk kanë sjellë rezultate konkrete.

Ajo tha se këto takime janë kthyer në një proces pa përmbajtje dhe pa një adresim të çështjeve që shqetësojnë opozitën.

Sekretarja e PDK-së deklaroi se Bedri Hamza ka pranuar të marrë pjesë në takim për shkak të respektit ndaj qytetarëve të Kosovës, pavarësisht përvojave të mëhershme politike.

“Bedri Hamza ka shkuar në takim për shkak të respektit ndaj qytetarëve të Kosovës, por ajo që doli nga takimi ishte e zbrazët dhe pa ndonjë përmbajtje konkrete”, tha Çitaku.

Ajo shtoi se PDK-ja nuk mund ta mbështesë vazhdimin e qeverisjes së Kurtit pa ndryshime konkrete në qasjen ndaj çështjeve që, sipas saj, janë të rëndësishme për zhvillimin dhe orientimin strategjik të vendit.

Lexo edhe:

Back to top button