
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në takimin e së martës me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, do të shkojë me “vullnet të mirë” dhe gatishmëri për arritjen e një marrëveshjeje politike.
Kurti nuk ka bërë të ditur nëse do të paraqesë ndonjë propozim konkret në takimin mes dy partive, duke thënë se detajet e diskutimeve do të bëhen publike pas përfundimit të takimeve dhe në rast të arritjes së një marrëveshjeje.
“Në formatin një plus një do të jetë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kryetari Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtorë dhe ne dëshirojmë që sa më parë të konstituohet Kuvendi, të zgjidhet Qeveria dhe ta zgjedhim Presidentin”, tha Kurti.
Ai përsëriti qëndrimin e tij se Kosova nuk ka nevojë për zgjedhje të reja të parakohshme dhe se ciklet zgjedhore duhet të jenë të rregullta.
“Siç nuk kemi pasur nevojë për zgjedhjet e kaluara, nuk kemi nevojë as që ato të ardhshme të jenë para vitit 2030. Kemi nevojë për cikle të rregullta zgjedhore, ku çdo katër vjet një qeveri qeveris dhe më pastaj vlerësohet tek populli”, tha ai para gazetarëve.
Kurti tha se synimi i tij është që procesi i formimit të institucioneve të përfundojë sa më shpejt, ndërsa kritikoi PDK-në dhe Aleancën për refuzimin e ftesave për takim.
“Fatkeqësisht, dy partitë e tjera nuk e konsideruan të nevojshme apo të arsyeshme që të takohemi. Unë mendoj ndryshe”, tha Kurti.
Sipas tij, me AAK-në nuk ka pasur fare takim, ndërsa ai vlerësoi se ka pasur nevojë për një tjetër takim me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza.
Kurti ka bërë të ditur se në takimin me LDK-në do të shoqërohet nga ministri në detyrë i Financave dhe anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati.



