
Qumështorja “Vita”, pjesë e “Devolli Group”, ka reaguar pas konferencës së ministrit në detyrë të Bujqësisë, Armend Muja, duke kërkuar publikimin e rezultateve të analizave të mostrave të produkteve dhe duke hedhur poshtë akuzat e bëra ndaj kompanisë.
Në një reagim të publikuar në Facebook, kompania tha se ministri gjatë konferencës vetëm ka përsëritur të dhëna që, sipas saj, janë të disponueshme në institucionet shtetërore, por nuk ka bërë publike rezultatet laboratorike të analizave.
Reagimi i kompanisë vjen pasi AUV prezantoi rezultatet e kontrolleve në sektorin e qumështit, sipas të cilave një pjesë e produkteve në treg kishin përbërës të padeklaruar në etiketa.
“Sot, ministri Muja gjatë konferencës për media deklaroi disa çështje të cilat lehtësisht gjenden në Doganën e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës dhe AUVK. Vetëm i kishte përmbledhur, por nuk tregoi asgjë të re. Ajo çka nuk publikoi ministri, pavarësisht premtimeve të vazhdueshme, ishin rezultatet e analizave të mostrave”, thuhet në reagim.
“Vita” ka theksuar se rezultatet e analizave ende nuk i janë dorëzuar kompanisë, ndonëse, sipas saj, kanë kaluar 33 ditë nga marrja e mostrave.
“Rezultatet e analizave të mostrave nuk u publikuan. Ne jemi të bindur që të gjitha produktet tona janë të etiketuara në përputhje me dispozitat ligjore. Ministria dhe AUVK duhet gjithsesi të dalin dhe t’i publikojnë rezultatet e analizave të mostrave, që tash e 33 ditë nuk po na i dërgojnë dhe tanimë janë edhe në shkelje ligjore”, thuhet më tej.
Kompania ka ftuar Ministrinë e Bujqësisë dhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë që të publikojnë menjëherë rezultatet e analizave.
Në reagim janë kundërshtuar edhe pretendimet e ministrit për furnizimin me ujë dhe numrin e punëtorëve.
Sipas kompanisë, ajo posedon leje ujore dhe impiant për trajtimin e ujërave të ndotura, ndërsa numri i punëtorëve është i deklaruar në Administratën Tatimore të Kosovës, duke theksuar se kompania operon me emrin Abrazen LLC.
“Vita” ka përsëritur se të gjitha produktet e saj prodhohen nga qumështi i freskët i fermerëve kosovarë.
“Ne garantojmë që të gjitha produktet e brendit ‘VITA’ janë prodhim 100 për qind qumësht i freskët i fermerëve kosovarë. Ne mburremi që jemi lider në industrinë e qumështit”, thuhet në reagim.
Në fund, kompania i ka bërë thirrje ministrit Muja që, sipas saj, të ndalë “shpifjet”, të informohet para deklarimeve publike dhe të mos publikojë “të dhëna të manipuluara”, duke shtuar se veprime të tilla, sipas saj, favorizojnë importin e produkteve të qumështit.



