
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka marrë pjesë në një takim institucional në Qeverinë e Kosovës për përgatitjet e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së bashku me zyrtarë të tjerë.
Fotografitë e publikuara nga Rama, ku ai shihet në të njëjtin takim me Kurtin, vijnë pas një periudhe me përplasje dhe akuza politike mes kryetarit të Prishtinës dhe zyrtarëve të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Rama ka vlerësuar se organizimi i Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” është një mundësi e rëndësishme për prezantimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe ka theksuar nevojën për bashkëpunim institucional.
“Lojërat Mesdhetare ‘Prishtina 2030’ janë projekti më i madh ndërkombëtar që i është besuar ndonjëherë Kosovës dhe një mundësi historike për ta prezantuar vendin tonë para botës”, ka shkruar Rama në Facebook.
Ai ka thënë se përmasat e këtij projekti kërkojnë angazhim të vazhdueshëm dhe vendimmarrje në kohë.
“Kemi përgjegjësi të madhe, por edhe një mundësi të jashtëzakonshme. Koha nuk pret. Çdo ditë duhet të shfrytëzohet për planifikim, koordinim dhe vendimmarrje”, ka deklaruar Rama.
Kryetari i Prishtinës ka bërë të ditur se Komuna do të vazhdojë punën për përmbushjen e obligimeve të saj në kuadër të organizimit të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.



