Kërcënoi policët e kryeprokurorin, kapet në kufi Egzon Reshani – i dyshuari për fajde

Egzon Reshani, i kërkuar nga organet e drejtësisë për disa vepra të rënda penale, është arrestuar nga Policia e Kosovës pasi tentoi të largohej drejt Serbisë në afërsi të vijës kufitare në Karaqevë të Poshtme.

Sipas Policisë së Kosovës, arrestimi u krye mbrëmjen e 3 gushtit, pak pas orës 22:00, nga zyrtarët e Policisë Kufitare në Stacionin për Mbikëqyrjen e Kufirit Muçivërcë.

Në njoftim thuhet se gjatë patrullimit është identifikuar një automjet që po hynte në Kosovë nga drejtimi i fshatit Breznicë në Serbi. Automjeti u ndalua në fshatin Novosellë, ndërsa pasagjeri, i identifikuar si Egzon Reshani, tentoi të arratisej me vrap drejt vijës kufitare.

“Zyrtarët policorë kanë reaguar menjëherë dhe, pas veprimeve profesionale, kanë arritur ta ndalojnë dhe arrestojnë të njëjtin në afërsi të vijës kufitare, duke parandaluar largimin e tij nga territori i Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia bëri të ditur se ndaj Reshanit kishte urdhërarreste aktive dhe se ai kërkohej nga organet e drejtësisë për veprat penale “Vrasje në tentativë”, “Fajde”, “Privim i kundërligjshëm i lirisë” dhe “Detyrim”.

Gjatë kontrollit fizik, zyrtarët policorë i gjetën edhe një thikë.

“Lidhur me këtë është kontaktuar Prokurori kompetent dhe, sipas udhëzimeve të tij, është iniciuar rast për veprën penale ‘Armëmbajtje pa leje'”, njoftoi Policia.

Pas përfundimit të procedurave nga Policia Kufitare, Reshani iu dorëzua Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren për procedura të mëtejshme.

Arrestimi i tij vjen pasi, gjatë kohës sa ishte në arrati, ai ishte shfaqur në rrjetet sociale me një video në të cilën kërcënonte rëndë zyrtarë policorë dhe familjet e tyre.

Në video, ai përmendte me emër rreshterët Xhavit Berisha dhe Fitim Haxhifazliu, si dhe hetuesin Tafil Gashi, duke u drejtuar me fjalët:

“Runi familjet… Kam me u marrë me juve. A je polic? Hajdeni kapëm. I gjallë s’bie në dorë, veç i vdekur.”

Në të njëjtën video, Reshani kishte lëshuar kërcënime dhe fyerje edhe ndaj kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu.

“Hajde kapëm… Ti mundesh me i ndjekë njerëzit e mirë, por mu s’më kap.”

Po ashtu, ai kishte folur edhe për akuzat për fajde, duke mohuar se ushtronte këtë veprimtari, por duke pranuar përdorimin e dhunës për marrjen e parave.

“Fajde nuk jap, fajdexhi nuk jam. Dikujt ia lypi 500 euro, 1 mijë euro, e dikujt ia marr me zor.”

Pas publikimit të videos, ndaj Reshanit ishte iniciuar edhe një rast për veprën penale “Kanosje”, ndërsa kërcënimet e tij ishin dënuar publikisht edhe nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.

Policia e Kosovës tha se mbetet e përkushtuar në mbikëqyrjen e kufirit shtetëror, luftimin e aktiviteteve të kundërligjshme ndërkufitare dhe lokalizimin e personave të kërkuar nga organet e drejtësisë.

Lexo edhe:

Back to top button