AUV zbulon shkelje në tregun e qumështit: Produkte me vaj palme dhe përbërës të padeklaruar

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka bërë të ditur se kontrollet e zhvilluara gjatë muajve prill-korrik në sektorin e qumështit kanë zbuluar se afro një në pesë produkte të analizuara nuk përputhej me deklarimin në etiketë, duke ngritur shqetësime për informimin e konsumatorëve.

Në një konferencë për media të martën, kryeshefi i AUV-së, Bekim Hoxha, tha se inspektimet janë zhvilluar në treg, te përpunuesit, prodhuesit dhe në pikat kufitare, ku janë marrë gjithsej 495 mostra për analiza laboratorike.

Sipas tij, nga këto analiza janë evidentuar 93 raste të mospërputhjeve. Pothuajse gjysma e tyre lidhen me praninë ose deklarimin e vajit të palmës, ndërsa shkelje janë konstatuar edhe për vajra të tjerë bimorë, niseshte dhe qumësht pluhur.

“Në mbi 90 për qind të rasteve me mospërputhje, përbërësit nuk kanë qenë të deklaruar në etiketë sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi. Kjo do të thotë se konsumatori nuk ka pasur informacion të plotë dhe të saktë për produktin që ka blerë”, tha Hoxha.

Ai sqaroi se në 85 raste analizat kanë zbuluar përbërës të pranishëm, por të padeklaruar në etiketë, ndërsa në tetë raste janë deklaruar përbërës që nuk janë konstatuar gjatë analizave laboratorike.

“Kur një produkt përmban vaj palme, yndyrë bimore apo përbërës të tjerë alternativë, kjo duhet të tregohet qartë. Konsumatori duhet të informohet saktë dhe në mënyrë transparente”, theksoi ai.

Hoxha bëri të ditur gjithashtu se një numër operatorësh ekonomikë kishin autorizim për përpunimin e qumështit dhe produkteve të tij, por jo edhe për përdorimin e vajit të palmës, yndyrave bimore, qumështit pluhur apo përbërësve të tjerë zëvendësues.

Megjithatë, ai theksoi se aksioni nuk duhet të interpretohet si tregues se sektori i qumështit në Kosovë është i pasigurt.

“Ky nuk ka qenë një aksion kundër sektorit të qumështit. Përkundrazi, synimi është rritja e kontrollit dhe përmirësimi i standardeve”, tha Hoxha, duke shtuar se AUV-ja do të propozojë rregulla më të qarta për prodhimin, autorizimin, emërtimin dhe etiketimin e produkteve që përmbajnë vajra bimorë dhe zëvendësues të tjerë.

Nga ana tjetër, ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, tha se cilësia e qumështit të prodhuar nga fermerët kosovarë nuk është në diskutim, por se problemet, sipas tij, shfaqen në fazën e përpunimit dhe distribuimit.

“Qumështi i fermerëve të Kosovës është ndër më cilësorët. Megjithatë, jo gjithmonë ai e ruan këtë cilësi pasi dorëzohet te përpunuesit. Kontrolli zyrtar është fokusuar pikërisht te përpunuesit dhe distributorët, ku raporti ka evidentuar raste të tradhtimit të besimit të fermerëve dhe konsumatorëve”, deklaroi Muja.

Ai paralajmëroi masa ndaj operatorëve që kanë shkelur rregullat, duke theksuar se produktet me shkelje kritike do të hiqen nga tregu.

“Ata që kanë vepruar në emër të profitit, duke mos respektuar standardet dhe duke rrezikuar besimin e konsumatorit, do të përballen me masa korrigjuese. Produktet me shkelje kritike do të tërhiqen nga tregu, ndërsa aktivitetet e paautorizuara do të pezullohen në përputhje me ligjin”, tha Muja.

Sipas AUV-së, rezultatet e analizave do të shërbejnë si bazë për forcimin e mbikëqyrjes së tregut dhe rritjen e transparencës në etiketimin e produkteve të qumështit, me synim mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e standardeve të sigurisë ushqimore.

Lexo edhe:

Back to top button