
Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ermal Sadiku, ka ngritur shqetësime për, sipas tij, një situatë serioze në sektorin e energjisë, duke paralajmëruar se skadimi i mandateve të tre anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) dhe afati i licencës së Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) mund të krijojnë pasoja të mëdha për vendin.
Në një reagim të publikuar në Facebook, Sadiku tha se tre anëtarëve të Bordit të ZRRE-së u ka përfunduar mandati, duke bërë që, sipas tij, bordi të mos e ketë kapacitetin e plotë për ushtrimin e funksioneve të tij.
Ai theksoi se më 4 tetor skadon licenca e KEK-ut, duke paralajmëruar se pa këtë licencë ndërmarrja nuk mund të vazhdojë veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike.
“Tre anëtarëve të Bordit të ZRRE-së u ka skaduar mandati. Praktikisht, bordi nuk e ka kapacitetin e plotë për të kryer funksionet e tij. Në anën tjetër, më 4 tetor i skadon licenca KEK-ut. Pa licencë, KEK-u nuk mund ta ushtrojë veprimtarinë e prodhimit të energjisë elektrike”, shkroi Sadiku.
Sipas Sadikut, situata ngre pikëpyetje serioze për mënyrën e menaxhimit të sektorit energjetik.
“Rreziku është jashtëzakonisht i madh. Ose kemi të bëjmë me një paaftësi të skajshme në qeverisje, ose ekziston një lojë në prapavijë që hap rrugë për import edhe më të madh të energjisë elektrike”, deklaroi ai.
Sadiku kujtoi se gjatë viteve të fundit janë shpenzuar mbi një miliard euro për import të energjisë elektrike, duke kërkuar përgjegjësi institucionale.
“Pas mbi 1 miliard eurove të shpenzuara për import të rrymës gjatë këtyre viteve, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë përgjegjësi dhe shpjegime. Kjo situatë nuk mund të trajtohet si një neglizhencë e zakonshme”, përfundoi ai.



