Kusari-Lila: Kurti do t’i ftojë LDK-në dhe partitë e tjera për bisedime, synimi shmangia e zgjedhjeve të reja

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë të ditur se kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pritet që në ditët në vijim t’u dërgojë ftesë për takim Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe partive të tjera parlamentare.

Sipas saj, takimet synojnë arritjen e një dakordimi për konstituimin e institucioneve të reja dhe procesin e zgjedhjes së presidentit të vendit.

Kusari-Lila tha se ftesa mund të bëhet edhe para mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit, e cila është caktuar për 6 gusht.

“Jam e bindur që shumë shpejt, para seancës konstituive, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje do të bëjë ftesë, brenda pak ditëve, ndoshta edhe orëve, edhe për Lidhjen Demokratike të Kosovës, edhe për parti të tjera”, tha Kusari-Lila për Ekonomia Online.

Ajo theksoi se zgjedhja e presidentit është përgjegjësi e përbashkët e deputetëve të zgjedhur dhe paralajmëroi se dështimi për të arritur një marrëveshje mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja.

“Zgjedhja e presidentit është një obligim i përbashkët i të gjithë deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Pavarësisht çfarëdo marrëveshjeje për konstituimin e Kuvendit apo formimin e Qeverisë, nëse nuk ka sukses në zgjedhjen e presidentit, vendi do të shkonte në zgjedhje në një periudhë të shkurtër kohore”, tha ajo.

Kusari-Lila vlerësoi se aktualisht nuk ka vullnet politik për një proces të ri zgjedhor dhe bëri thirrje për seriozitet në bisedimet ndërmjet partive.

“Duket se askush nuk e ka as vullnetin dhe as nuk shohim ndonjë arsye logjike për të shkuar në zgjedhje të reja. Shpresojmë që të gjithë të jenë të gatshëm të diskutojnë me seriozitetin më të lartë për detyrat që na takojnë si përfaqësues të zgjedhur të popullit”, u shpreh ajo.

Presidenti, kusht për marrëveshje politike

E pyetur nëse Vetëvendosje është e gatshme t’u ofrojë partive opozitare një marrëveshje për çështjen e presidentit, Kusari-Lila tha se diskutimet mbeten të hapura, por çdo dakordim duhet të jetë në përputhje me rezultatin e zgjedhjeve.

“Është e mundur të ofrohet diskutim e koalicion për qeverisje, ndërsa sa i përket çështjes së presidentit, është dakordimi i përbashkët i subjekteve. Mund të jetë vetëm përmes procesit të dakordimit, qëndrimit në sallë dhe votimit sipas vullnetit të tyre, apo edhe një marrëveshje më e gjerë”, tha ajo.

Sipas saj, partitë nuk duhet të vendosin kushte që nuk përputhen me vullnetin e qytetarëve të shprehur në zgjedhje.

“Qytetarët kanë folur, rezultati dihet, dhe konform atij rezultati mund të pritet dakordimi politik mes subjekteve”, deklaroi Kusari-Lila.

Ajo shtoi se një emër konkret për president nga Vetëvendosje mund të diskutohet vetëm pas zhvillimit të bisedimeve me partitë e tjera.

“Kjo krejt varet nga dinamika e diskutimit. Takimi i parë është mbajtur me përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe është thënë se ka vullnet për të vazhduar me takime të tjera. Së shpejti jam e bindur se do të ketë takim tjetër dhe prej aty mund të dalin edhe konkretisht dakordimet mes subjekteve”, tha ajo.

Kurti ka paralajmëruar se gjatë kësaj jave priten zhvillime të reja në negociatat me LDK-në dhe partitë e tjera parlamentare.

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është caktuar të mbahet më 6 gusht.

Lexo edhe:

Back to top button