
Kompania për Furnizim me Energji Elektrike në Kosovë (KESCO) ka njoftuar se nga 1 shtatori 2026 do të nisë zbatimi i tarifës së rikyçjes në rrjet për konsumatorët të cilëve u është ndërprerë furnizimi me energji elektrike për shkak të borxheve të papaguara.
Vendimi vjen pas njoftimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), i cili ka përcaktuar fillimin e aplikimit të kësaj tarife në përputhje me rregullat e miratuara nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).
“KESCO, në cilësinë e Furnizuesit të Shërbimit Universal, informon konsumatorët se ka pranuar njoftim zyrtar nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) lidhur me fillimin e zbatimit të tarifës së rikyçjes, e cila do të hyjë në fuqi më 1 shtator 2026, në përputhje me Rregullën për Shkyçje dhe Rikyçje të miratuar nga ZRRE”, thuhet në njoftimin e kompanisë në Facebook.
Sipas KESCO-s, tarifa e re do të aplikohet për konsumatorët që janë shkyçur nga rrjeti për shkak të mospagesës së detyrimeve financiare dhe që kërkojnë rikthimin e furnizimit me energji elektrike.
“Sipas njoftimit të OSSH-së, nga 1 shtatori 2026 do të aplikohet tarifa e rikyçjes për konsumatorët që janë shkyçur nga rrjeti për shkak të mospagesës së detyrimeve financiare dhe që kërkojnë rikyçjen e furnizimit me energji elektrike”, ka bërë të ditur KESCO.
Sipas rregullores së ZRRE-së për shkyçjen dhe rikyçjen e konsumatorëve në sektorin e energjisë, një konsumator shtëpiak do të paguajë 15 euro për procedurën e shkyçjes dhe 15 euro për rikyçjen në rrjet.
Për konsumatorët komercialë, tarifa është më e lartë, me nga 30 euro për secilën procedurë — shkyçjen dhe rikyçjen.
Rregullorja që përcakton këto tarifa ka hyrë në fuqi në mars të vitit 2017, ndërsa zbatimi i tarifës së rikyçjes nis zyrtarisht nga shtatori i këtij viti. KESCO ka sqaruar se aplikimi i saj është në përputhje me kuadrin rregullativ të përcaktuar nga ZRRE.



