
Avokati mbrojtës i ministrit në detyrë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, Artan Kastrati, ka konfirmuar se Prokuroria Themelore në Pejë ka mbyllur rastin ndaj ministrit, pasi gjatë procedurës hetimore nuk është gjetur asnjë provë apo dyshim i bazuar që do të mbështeste pretendimet e ngritura ndaj tij.
Rasti ishte hapur në nëntor të vitit 2025, pas një denoncimi ku ishin ngritur pretendime për “kanosje” dhe cenim të përcaktimit të lirë të votuesve, të lidhura me zhvillimet gjatë procesit zgjedhor, raporton Spektatori.
Sipas pretendimeve të ngritura në kallëzim, Krasniqi dyshohej se kishte ushtruar ndikim ndaj disa personave gjatë procesit zgjedhor dhe se kishte cenuar vullnetin e lirë të votuesve.
Megjithatë, pas zhvillimit të hetimeve, Prokuroria ka vlerësuar se nuk janë siguruar prova të mjaftueshme për të mbështetur këto pretendime.
Prokuroria mbyll rastin ndaj ministrit Krasniqi, bien pretendimet për manipulim votash
Avokati Kastrati tha se vendimi i Prokurorisë konfirmon qëndrimin e mbrojtjes që nga fillimi i procedurës, duke theksuar se nuk ka ekzistuar bazë faktike për akuzat e ngritura.
“Mirëpres vendimin e Prokurorisë Themelore në Pejë për mbylljen e rastit, pasi gjatë procedurës nuk është gjetur asnjë provë e vetme apo dyshim i bazuar që do të mbështeste pretendimet e ngritura ndaj ministrit Krasniqi, kinse për ‘kanosje’ ndaj personave të panjohur për ministrin e të njohur nga organet e drejtësisë”, deklaroi Kastrati.
Ai tha se përveç mungesës së provave për pretendimet penale, rasti ishte ngritur në një periudhë para zgjedhjeve, duke e cilësuar denoncimin si të motivuar politikisht.
“Ky epilog konfirmon atë që kemi deklaruar që nga fillimi: denoncimi ishte i pabazuar, tendencioz dhe i motivuar politikisht pak para zgjedhjeve. Për më tepër, ministri ishte i shoqëruar nga familjarët ditën e ngjarjes. Sundimi i ligjit kërkon që çdo denoncim të mbështetet në prova, e jo në akuza pa bazë të cilat krijojnë pasiguri juridike”, tha ai.
Sipas Kastratit, gjatë procedurës nuk është gjetur asnjë provë direkte apo indirekte që do të dëshmonte kryerjen e ndonjë vepre penale nga ministri Krasniqi.
“Vendimi i Prokurorisë është një dëshmi se drejtësia duhet të mbështetet ekskluzivisht në fakte dhe prova, duke respektuar prezumimin e pafajësisë për çdo qytetar, pavarësisht pozitës publike, funksionit shtetëror apo përgjegjësive institucionale që ushtron”, u shpreh avokati.
Me këtë vendim, procedura ndaj ministrit Elbert Krasniqi është mbyllur, pasi Prokuroria Themelore në Pejë nuk ka gjetur bazë ligjore për vazhdimin e ndjekjes penale lidhur me pretendimet e ngritura.



