
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), Mimoza Kusari-Lila, tha se çmimet e derivateve në Kosovë mund të shënojnë një ulje të lehtë në ditët e ardhshme, nëse vazhdon rënia e çmimit të importit, por theksoi se lëvizjet nuk pritet të jenë të mëdha.
Në një intervistë për Ekonomia Online, ajo deklaroi se importi i naftës ka regjistruar një rënie të vogël, e cila mund të reflektohet gradualisht edhe në tregun vendor.
“Nëse vazhdon cikli që ka nisur dje, mund të shohim rënie të çmimeve në ditët në vijim, por nuk do të jetë dramatike. Po flasim për një ulje prej 1 deri në 2 centësh. Importi mbrëmë ka shënuar rënie prej 1 centi krahasuar me ditët paraprake dhe shpresoj që ky trend të vazhdojë”, tha Kusari-Lila.
Ajo rikujtoi se MINTI prej muajit prill zbaton masën që kufizon marzhën e fitimit dhe vendos çmimin maksimal të derivateve, duke llogaritur mesataren e 10 milionë litrave të importuara. Sipas saj, kjo metodë zbut luhatjet e menjëhershme të çmimeve në treg.
“Kur çmimet rriten papritur në bursat ndërkombëtare, masa mbron konsumatorët nga rritjet e menjëhershme. Kur çmimet bien, edhe ulja reflektohet gradualisht. Është një mekanizëm që neutralizon lëvizjet e shpejta të tregut”, tha ajo.
Sipas Kusari-Lilës, Kosova, si vend që nuk prodhon dhe nuk rafinon naftë, mbetet e varur nga çmimet e importit dhe kontratat e furnizimit, të cilat nuk ndryshojnë menjëherë me lëvizjet në bursat ndërkombëtare.
Ministrja në detyrë tha se institucioni që ajo drejton po shqyrton nëse masa aktuale duhet të vazhdojë, duke vlerësuar se pa të, çmimet e derivateve do të kishin qenë më të larta, sidomos gjatë sezonit veror kur kërkesa rritet.
“Kam bindjen se, po të mos ishte kjo masë, çmimi i naftës do të ishte edhe më i lartë. Në verë kërkesa rritet për shkak të ardhjes së mërgatës dhe numrit më të madh të automjeteve, prandaj tregu do të reagonte ndryshe nëse do të funksiononte vetëm mbi bazën e kërkesës dhe ofertës”, deklaroi ajo.
Kusari-Lila bëri të ditur se MINTI po analizon edhe ndryshime të mundshme në mënyrën e përcaktimit të çmimeve, përmes rishikimit të udhëzimit administrativ që rregullon marzhën e fitimit.
“Po shqyrtojmë mundësinë e modaliteteve të reja për përcaktimin e çmimit në kuadër të udhëzimit administrativ, si dhe mundësinë që, nëse tregu stabilizohet, të hiqet masa dhe çmimet të ndjekin më drejtpërdrejt çmimin e importit”, tha ajo.
Ajo konfirmoi se Shoqata e Naftëtarëve ka kërkuar heqjen e kufizimit të marzhës së fitimit dhe ka kërkuar takim urgjent me ministrinë, duke argumentuar se operatorët po përballen me rritje të kostove të biznesit.
“Naftëtarët kanë kërkuar vazhdimisht heqjen e masës dhe së shpejti do të takohemi me ta. Ata argumentojnë se rritja e shpenzimeve, përfshirë pagat dhe pagën minimale, po i dëmton. Megjithatë, duhet të ruajmë një ekuilibër mes mbrojtjes së konsumatorëve dhe qëndrueshmërisë së operatorëve ekonomikë”, tha Kusari-Lila.



