“Kënd po e mbroni?” – Përparim Rama ia ndërpret marrëveshjen Jeta Xharrës për shfrytëzimin e hapësirës në Grand Hotel

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se i është dërguar njoftimi zyrtar për ndërprerjen e marrëveshjes për shfrytëzimin e hapësirës publike në Grand Hotel nga BIRN, organizatë e drejtuar nga Jeta Xharra.

Rama, përmes një reagimi publik, ka kritikuar mungesën e transparencës lidhur me një çështje që, sipas tij, lidhet drejtpërdrejt me besimin e publikut.

Bëhet fjalë për profilin e rremë “Lule Gjeli”, i cili ka sulmuar dhe linçuar kritikët e pushtetit në rrjetet sociale.

Mediumi Kallxo.com kishte publikuar opinione të këtij personazhi, ndërsa Jeta Xharra ka deklaruar se e di identitetin e personit që qëndron pas profilit, por ka refuzuar ta bëjë publik.

“Deklarata se ‘e dimë kush është, por nuk e tregojmë’ është pikërisht ajo që e bën situatën edhe më shqetësuese. Nëse identiteti dihet, atëherë shtrohet një pyetje e thjeshtë: Kënd po e mbroni?”, ka shkruar Rama në Facebook.

Ai ka thënë se hapësirat publike, të cilat janë pronë e qytetarëve të Prishtinës, nuk mund të shfrytëzohen nga organizata që, sipas tij, refuzojnë transparencën për çështje me interes publik.

Rama ka bërë të ditur se në ditët në vijim do të rishikohen edhe marrëveshje të tjera për shfrytëzimin e hapësirave publike të ndara dhe financuara nga Kryeqyteti.

Lexo edhe:

Back to top button