
Prokuroria Themelore në Pejë ka mbyllur hetimet ndaj ministrit në detyrë të Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) dhe kryetarit të Iniciativës së Re Demokratike të Kosovës (IRDK), Elbert Krasniqi, duke konstatuar se nuk ka gjetur prova që ai ka ndikuar te votuesit apo ka kryer veprën penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve” gjatë zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit 2026, raporton Spektatori.
Rasti, i cili ishte hapur pas pretendimeve për ndikim në procesin zgjedhor në fshatin Brestovik, ka përfunduar me arkivimin e çështjes.
Pas shqyrtimit të provave, deklaratave të dëshmitarëve dhe materialeve të mbledhura gjatë hetimit, Prokuroria ka vlerësuar se nuk ekziston bazë për të vazhduar procedurën penale ndaj Krasniqit.
Vendimi për mbylljen e hetimeve – i siguruar nga Spektatori – është marrë më 21 korrik 2026 nga prokurorja e shtetit Valbona Disha Haxhosaj, e cila ka aprovuar raportin për përfundimin e rastit pas shqyrtimit të raportit njoftues të Policisë së Kosovës, provave të administruara dhe deklaratave të personave të përfshirë.
Hetimi ishte nisur pas një raportimi të dorëzuar nga Veton Berisha, kryetar i Partisë Liberale Egjiptiane dhe kandidat për deputet në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit 2026.
Sipas raportimit të Berishës, në ditën e zgjedhjeve ai kishte parë Elbert Krasniqin në fshatin Brestovik, të shoqëruar nga një person të cilin e kishte cilësuar si truprojë personale, si dhe nga anëtari i IRDK-së, Avdyl Berisha.
Deputeti tashmë i zgjedhur, Veton Berisha, kishte pretenduar se gjatë kësaj lëvizjeje ishte ndikuar vullneti i qytetarëve lidhur me mënyrën e votimit.
Por, pas administrimit të të gjitha provave, Prokuroria ka arritur në përfundimin se nuk është krijuar dyshim i arsyeshëm se Krasniqi ka kryer veprën penale për të cilën ishte raportuar.
Në vendimin e saj, Prokuroria ka theksuar se nuk ka gjetur prova direkte apo indirekte që e lidhin ministrin në detyrë me cenimin e përcaktimit të lirë të votuesve.
“Në rastin konkret nuk kemi gjetur asnjë provë, direkte apo indirekte, materiale apo personale, në bazë të të cilave kjo prokurori do të vinte në përfundim se në veprimet e personit Elbert Krasniqi janë realizuar elementet e veprës penale ‘Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve’ nga neni 210 i KPRK-së”, thuhet në vendimin e Prokurorisë, raporton Spektatori.

Gjatë procedurës hetimore janë administruar raporti i Policisë së Kosovës, shënimi zyrtar, procesverbalet e marrjes në pyetje të ankuesit dhe dëshmitarëve, si dhe deklaratat e personave të përfshirë.
Në kuadër të hetimit janë dëgjuar Elbert Krasniqi, Avdyl Berisha, Benis Zeqiri, Rrahim Metaj, Ilinor Berisha dhe Emran Shaqiri.
Në deklaratën e tij para Prokurorisë, Elbert Krasniqi ka mohuar akuzat, duke thënë se në ditën e zgjedhjeve kishte qenë në Brestovik për ta takuar kandidatin e partisë së tij, Avdyl Berisha.

Krasniqi ka deklaruar se nuk kishte takuar votues dhe nuk kishte zhvilluar biseda me banorët e fshatit për procesin e votimit. Ai ka thënë gjithashtu se në atë zonë nuk kishte qendër votimi ku kandidatëve do t’u ishte ndaluar lëvizja gjatë ditës së zgjedhjeve.
Në anën tjetër, dëshmitarët Ilinor Berisha dhe Emran Shaqiri kishin deklaruar se e kishin parë Krasniqin duke lëvizur në Brestovik dhe se ai kishte lënë një person për ta shoqëruar Avdyl Berishën.
Sipas deklarimeve të tyre, Avdyl Berisha u kishte bërë presion Benis Zeqirit dhe Rrahim Metajt që të votonin për të dhe për IRDK-në.

Megjithatë, këto pretendime janë mohuar nga vetë dy personat që ishin përmendur si votues të ndikuar.
Benis Zeqiri dhe Rrahim Metaj kanë deklaruar para Prokurorisë se nuk kishin qenë nën presion nga Avdyl Berisha dhe se vota e tyre ishte vendim i lirë.
Ata kanë thënë se ishin miq familjarë me Berishën dhe se ndër vite e kishin votuar atë, shkruan Spektatori.
Edhe Avdyl Berisha ka mohuar akuzat, duke deklaruar se kishte shkuar në Brestovik me kërkesë të Zeqirit dhe Metajt për t’i ndihmuar ata të shkonin në qendrën e votimit për shkak të gjendjes së tyre të rëndë ekonomike.
Sipas tij, qëllimi nuk kishte qenë ndikimi në mënyrën e votimit, por ndihma që ata të ushtronin të drejtën e tyre për të votuar.
Berisha ka deklaruar gjithashtu se personi i përmendur në raportim si truprojë e Elbert Krasniqit ishte në fakt shoferi i ministrit në detyrë, i cili kishte mbetur aty për ta ndihmuar pasi kishte pasur probleme shëndetësore.
Pas analizimit të të gjitha deklaratave dhe provave të mbledhura, Prokuroria ka vlerësuar se nuk është dëshmuar që Elbert Krasniqi ka keqpërdorur ndonjë varësi ekonomike apo profesionale të votuesve, apo se ka ndikuar ose detyruar qytetarë të votojnë për një subjekt apo kandidat të caktuar politik.
Në arsyetimin e vendimit thuhet se nuk është provuar asnjë veprim që do të përmbushte elementet e veprës penale për të cilën ishte raportuar.
“Nuk është vërtetuar se i njëjti ka keqpërdorur varësinë ekonomike dhe profesionale të votuesit në mënyrë që të ndikojë ose detyrojë votuesin, në rastin konkret Benis Zeqirin dhe Rrahim Metajn, që të votojnë në mënyrë të caktuar për partinë IRDK dhe kandidatin Avdyl Berisha”, thuhet në arsyetimin e Prokurorisë.
Me këtë vendim, Prokuroria Themelore në Pejë ka vendosur që rasti ndaj Elbert Krasniqit të arkivohet, duke konstatuar se hetimi nuk ka nxjerrë prova që e lidhin atë me veprën penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve” apo me ndonjë vepër tjetër penale që ndiqet sipas detyrës zyrtare.
Rrjedhimisht, çështja ndaj ministrit në detyrë dhe kreut të IRDK-së mbyllet pa aktakuzë, pasi Prokuroria ka vlerësuar se pretendimet e ngritura nuk janë mbështetur me prova të mjaftueshme për vazhdimin e procedurës penale./Spektatori.com



