Komuna e Prishtinës shkel ligjin, AIP e gjobit me 20 mijë euro

Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka shqiptuar gjobë prej 20 mijë eurosh ndaj Komunës së Prishtinës, pasi ka konstatuar se Inspektorati i Kryeqytetit ka publikuar pa bazë ligjore të dhëna personale të një qytetari në llogarinë zyrtare në platformën Facebook, raporton Spektatori.

Vendimi i datës 7 korrik 2026, obligon Komunën e Prishtinës që të largojë nga publikimi çdo të dhënë personale të personit të prekur dhe të sigurojë që kopjet e të njëjtit publikim nën kontrollin e saj të mos jenë më të qasshme për publikun.

Sipas AIP-së, rasti kishte nisur pas një njoftimi të pranuar më 10 prill 2026 lidhur me publikimin e paautorizuar të të dhënave personale nga Inspektorati i Kryeqytetit.

Në postimin e publikuar në Facebook, krahas një njoftimi për ndalimin e qarkullimit të trotinetëve dhe motoçikletave në shesh, ishte shpërndarë edhe dokumenti i një gjobe ndaj një qytetari, ku përfshiheshin të dhëna që mundësonin identifikimin e tij.

AIP ka konstatuar se në dokument ishin ekspozuar të dhëna si emri dhe mbiemri, data e lindjes, numri personal, numri i telefonit, adresa, targat e motoçikletës dhe fotografia e personit.

“Megjithatë, krahas mesazhit informues, është bërë publik edhe dokumenti konkret i gjobës me të dhëna që mundësonin identifikimin e drejtpërdrejtë të personit”, thuhet në arsyetimin e vendimit të AIP-së ndaj Komunës së Prishtinës, që drejtohet nga Përparim Rama.

Vendimi për gjobë i AIP ndaj Komunës së Prishtinës
Vendimi për gjobë i AIP ndaj Komunës së Prishtinës

 

Agjencia ka vlerësuar se publikimi i këtyre të dhënave në një platformë publike ka përbërë ndërhyrje të panevojshme dhe joproporcionale në privatësinë e qytetarit.

“Edhe pse ekziston interes publik për informim lidhur me aktivitetet e inspektoratit dhe masat administrative të ndërmarra nga autoritetet publike, mënyra e realizimit të publikimit ka rezultuar në tejkalim të qëllimit të informimit publik dhe cenim të të dhënave të subjektit të të dhënave”, thekson AIP.

Sipas institucionit mbikëqyrës, Komuna e Prishtinës ka mundur ta arrijë qëllimin e informimit të qytetarëve pa bërë identifikimin e personit dhe pa ekspozuar të dhënat e tij.

Vendimi për gjobë i AIP ndaj Komunës së Prishtinës
Vendimi për gjobë i AIP ndaj Komunës së Prishtinës

“Një publikim në përputhje me legjislacionin në fuqi do të duhej të realizohej duke zbatuar teknika të minimizimit dhe anonimizimit të të dhënave personale”, thuhet në vendim.

AIP: Facebook-u rriti rrezikun e përhapjes së të dhënave

Në arsyetimin e vendimit, AIP ka marrë parasysh edhe natyrën e platformës ku ndodhi publikimi, shkruan Spektatori.

Vendimi për gjobë i AIP ndaj Komunës së Prishtinës
Vendimi për gjobë i AIP ndaj Komunës së Prishtinës

“Facebook është platformë me qasje të gjerë, ku përmbajtja mund të shikohet, shpërndahet, ruhet ose ripublikohet nga një numër i pacaktuar personash”, ka deklaruar Agjencia.

Sipas saj, publikimi i të dhënave personale në një llogari publike krijon rrezik për humbjen e kontrollit mbi mënyrën se si ato të dhëna mund të përdoren më tej.

AIP ka theksuar veçanërisht publikimin e numrit personal të qytetarit, duke e cilësuar atë si një identifikues unik me rrezik të lartë për keqpërdorim.

Vendimi për gjobë i AIP ndaj Komunës së Prishtinës
Vendimi për gjobë i AIP ndaj Komunës së Prishtinës

“Publikimi i numrit personal përbën identifikues unik dhe paraqet rrezik të lartë për personin fizik, pasi mund të çojë në keqpërdorim të të dhënave personale, identifikim të paautorizuar dhe cenim të sigurisë dhe privatësisë së individit”, thuhet në vendim.

Komuna nuk iu përgjigj kërkesave të Agjencisë

Gjatë procedurës së shqyrtimit, AIP ka kërkuar sqarime nga Komuna e Prishtinës lidhur me bazën ligjore të publikimit dhe qëllimin e tij.

Megjithatë, sipas vendimit, Komuna nuk ka ofruar përgjigje edhe pas kërkesës së përsëritur nga Agjencia.

“Kontrolluesi nuk ka ofruar asnjë përgjigje, duke treguar mungesë bashkëpunimi institucional”, thuhet në arsyetimin e AIP-së.

Agjencia ka vlerësuar se përgjegjës për përpunimin e të dhënave nuk është Inspektorati i Kryeqytetit si njësi organizative, por vetë Komuna e Prishtinës, pasi Inspektorati nuk paraqet person juridik të veçantë.

Vendimi për gjobë i AIP ndaj Komunës së Prishtinës
Vendimi për gjobë i AIP ndaj Komunës së Prishtinës

Gjobë 20 mijë euro dhe afat 30 ditësh për pagesë

Me vendimin e saj, AIP ka obliguar Komunën e Prishtinës që gjobën prej 20 mijë eurosh ta paguajë brenda 30 ditësh në llogarinë e Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

Në rast se pagesa nuk kryhet brenda afatit, vendimi bëhet titull ekzekutiv dhe mund të zbatohet përmes përmbarimit privat.

Komuna gjithashtu duhet që brenda 30 ditësh ta njoftojë AIP-në për masat e ndërmarra për zbatimin e vendimit.

Kundër këtij vendimi nuk lejohet ankesë administrative, por pala e pakënaqur mund të iniciojë konflikt administrativ në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, brenda afatit prej 30 ditësh.

Sipas AIP-së, masa ndëshkuese synon të sigurojë që institucionet publike të respektojnë standardet ligjore për mbrojtjen e privatësisë dhe të dhënave personale të qytetarëve./Spektatori.com

Lexo edhe:

Back to top button