
Qeveria e Kosovës ka kërkuar reagim të menjëhershëm dhe të qartë nga Bashkimi Evropian pas deklaratave të ministres serbe, Snezhana Paunoviq, e cila bëri thirrje për spastrim etnik në Kosovë.
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, i ka dërguar një letër Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, duke kërkuar që Brukseli të dënojë publikisht retorikën e ministres serbe dhe t’ua bëjë të qartë autoriteteve në Beograd se deklarata të tilla janë të papranueshme.
Në letrën e tij, Konjufca ka theksuar se një gjuhë e tillë bie ndesh me vlerat evropiane dhe duhet të trajtohet seriozisht nga Bashkimi Evropian, jo vetëm në aspektin politik, por edhe në kuadër të dialogut dhe procesit të integrimit të Serbisë në BE.
Qeveria e Kosovës kërkon që Bashkimi Evropian të mbajë një qëndrim të qartë ndaj deklaratave që ringjallin retorikë të rrezikshme ndaj Kosovës dhe cenojnë paqen, sigurinë dhe frymën e pajtimit në rajon.
“Qeveria e Republikës së Kosovës kërkon dhe pret nga BE-ja që t’i dënojë qartë dhe publikisht deklaratat e ministres Paunović, t’ua bëjë të qartë autoriteteve serbe se një retorikë e tillë është e papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat evropiane, si dhe ta trajtojë këtë çështje seriozisht në kuadër të dialogut politik dhe procesit të anëtarësimit të Serbisë në BE”, thuhet në reagimin e publikuar nga Qeveria e Kosovës, së cilës i është bashkëngjitur edhe letra e dërguar BE-së.



