Zejnullah Gashi e mohoi ambicien për postin e madh – 101 ditë më vonë, ai e mori atë

“Asnjëherë nuk e kam menduar. Kurrë.”

Kur Zejnullah Gashi u pyet nëse synonte postin e Kryeprokurorit të Shtetit, përgjigjja e tij ishte kategorike.

Nuk tha se ishte herët për të folur. Nuk tha se po e shqyrtonte mundësinë. Nuk tha se nuk donte të komentonte, raporton Spektatori.

Tha diçka tjetër: se këtë mundësi nuk e kishte menduar “asnjëherë”.

Më 4 prill 2026, në emisionin “Betimi për Drejtësi” në KTV, kryeprokurori i atëhershëm i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, e mohoi disa herë radhazi se kishte synime për postin më të lartë të sistemit prokurorial.

“Është e vërtetë që ka thashetheme të tilla. Asnjëherë nuk e kam menduar. Kurrë. Për herë të parë pyetja, për herë të parë, dhe përgjigjen po ta jap: asnjëherë nuk e kam menduar”, kishte deklaruar Gashi.

Më pas, ai e përsëriti edhe një herë, duke e shoqëruar deklaratën me një garanci personale.

“Ju garantoj që për herë të parë e kam dëgju prej kolegëve… Asnjëherë, ju them të drejtën, sinqerisht, asnjëherë nuk e kam menduar një gjë të tillë”, kishte thënë ai.

Gashi kishte insistuar se përgjegjësia e tij ishte në krye të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe se aty e shihte angazhimin e tij.

“Jam kryeprokuror i Prishtinës. Kam marrë zotime nga ana e Këshillit… Ata ma kanë dhënë besimin që unë të jem kryeprokuror i Prishtinës këtu dhe të kryej punën time, për të cilën edhe jam zotuar”, kishte deklaruar ai.

Sipas tij, pozitat menaxheriale janë relative, ndërsa ajo që mbetet absolute është shërbimi për qytetarët.

“Pozitat tona menaxheriale janë relative. Ajo që është absolute është shërbimi për qytetarët”, kishte thënë Gashi.

Vetëm 101 ditë më vonë, më 14 korrik 2026, Gashi u emërua në pikërisht atë pozitë për të cilën kishte deklaruar publikisht se nuk e kishte menduar, shkruan Spektatori.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, nënshkroi dekretin për emërimin e tij si Kryeprokuror i Shtetit, pas propozimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Emërimi i tij i dha fund mungesës së një Kryeprokurori të Shtetit me mandat të plotë, e cila kishte zgjatur gati katër vjet.

Procesi i përzgjedhjes, megjithatë, ishte shoqëruar me kundërshtime.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese procedurën e përzgjedhjes, duke argumentuar se Këshilli Prokurorial nuk kishte bazë ligjore për hapjen e një konkursi të ri dhe se vendimi i mëhershëm për dekretimin e tij vazhdon të jetë në fuqi.

Në vitin 2023, presidentja e atëhershme Vjosa Osmani kishte refuzuar ta dekretonte Isufajn, ndonëse ai ishte propozuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, duke arsyetuar vendimin me shkelje ligjore të konstatuara në procesin e përzgjedhjes.

Procesi i atëhershëm ishte kritikuar edhe nga bashkësia ndërkombëtare, e cila kishte shprehur shqetësime për mënyrën e zhvillimit të procedurës dhe, në disa raste, kishte kërkuar që procesi të kthehej në pikën zero.

Më 15 korrik 2026, një ditë pas dekretimit, Zejnullah Gashi e pranoi zyrtarisht detyrën e Kryeprokurorit të Shtetit. Dorëzimi i detyrës u bë nga ushtruesi i deritanishëm i detyrës, Agron Qalaj.

Në ceremoninë e pranimit të detyrës, Gashi tha se do të jetë “kryeprokuror i të gjithëve”.

“Sapo e pranova detyrën e Kryeprokurorit të Shtetit nga U.D. Agron Qalaj. Faleminderit kolegëve për besimin e dhënë. Unë do të jem kryeprokuror i të gjithëve dhe së bashku të gjithë do të punojmë në forcimin e sundimit të ligjit”, deklaroi ai.

Ndërkohë, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e ka mbrojtur emërimin e Gashit, duke thënë se ai nuk është zgjedhur pa përvojë dhe duke kundërshtuar pretendimet për lidhje politike me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Qysh është pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje? Më vjen keq, por kryeprokurori Zejnullah Gashi nuk ka ardhur nga rruga që bëhet kryeprokuror. Ai ka qenë kryeprokurori i Prokurorisë Themelore”, ka deklaruar Haxhiu më 17 korrik 2026.

Ajo i ka cilësuar si “qesharake” pretendimet për lidhje të Gashit me Vetëvendosjen, duke thënë se këto janë përpjekje për të dëmtuar procesin e emërimit.

Sipas Haxhiut, procesi është mbikëqyrur nga organizata të shoqërisë civile dhe partnerë ndërkombëtarë, ndërsa nga kryeprokurori i ri ka kërkuar angazhim maksimal në luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe kërcënimeve ndaj sigurisë së vendit.

Gashi do ta ushtrojë detyrën e Kryeprokurorit të Shtetit për një mandat shtatëvjeçar.

Ai merr drejtimin e një institucioni që kishte mbetur pa një kryeprokuror me mandat të plotë që nga viti 2022, kur përfundoi mandati i Aleksandër Lumezit. Gjatë kësaj periudhe, detyrën e ushtruesit të detyrës e kishin mbajtur Besim Kelmendi dhe Agron Qalaj.

Mes deklaratës së 4 prillit dhe dekretit të 14 korrikut qëndrojnë vetëm 101 ditë.

Në njërën anë ishte deklarata: “Asnjëherë nuk e kam menduar. Kurrë.”

Në anën tjetër ishte dekreti që e vendosi Zejnullah Gashin në krye të sistemit prokurorial të Kosovës për shtatë vitet e ardhshme./Spektatori.com

Lexo edhe:

Back to top button