Haliti hap derën për bashkëqeverisje me LVV-në: Nuk jemi armiq

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, vlerëson se partia e tij nuk duhet ta përjashtojë mundësinë e një bashkëpunimi me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), por thekson se çdo marrëveshje duhet të ndërtohet mbi një program të përbashkët qeverisës dhe jo vetëm rreth zgjedhjes së presidentit, raporton Spektatori.

Në emisionin “Intervista e Javës” në KosovaPress, Haliti tha se një koalicion mes dy partive do të kishte kuptim vetëm nëse garanton stabilitet qeverisës për një mandat të plotë katërvjeçar.

“Fillimisht duhet të merremi vesh për qeverinë dhe bashkëqeverisjen. Nëse PDK-ja dhe Vetëvendosja pajtohen për këtë, atëherë mund të zgjidhet edhe presidenti dhe të nisë zbatimi i një programi të përbashkët katërvjeçar,” tha ai.

Megjithatë, Haliti pranoi se brenda PDK-së nuk ekziston një qëndrim unik për një koalicion të mundshëm me LVV-në. Sipas tij, ka figura të partisë që e kundërshtojnë këtë ide, ndërsa vendimi duhet të merret përmes debateve në organet drejtuese.

“Nuk jemi të gjithë të një mendimi. Ka zëra kundër një koalicioni me Vetëvendosjen dhe kjo çështje duhet të diskutohet në organet e partisë. Në fund, vendimi duhet të merret në mënyrë demokratike dhe të respektohet nga të gjithë,” u shpreh Haliti.

Ai shtoi se, në parim, nuk e sheh të gabuar një marrëveshje politike me LVV-në, duke theksuar se dy partitë janë kundërshtare politike dhe jo armiq, megjithëse pranoi se nuk beson se një marrëveshje e tillë është e afërt.

Duke komentuar qëndrimet kundërshtuese brenda PDK-së, Haliti përmendi Sami Lushtakun si një nga zërat publikë që ka shprehur rezerva ndaj bashkëpunimit me LVV-në, duke theksuar se ai nuk është i vetmi që mban këtë pozicion.

“Sami Lushtaku përfaqëson një pjesë të rëndësishme të elektoratit të PDK-së dhe qëndrimet e tij duhet të merren në shqyrtim. Ai ka pasur përplasje politike me Vetëvendosjen dhe është krejtësisht normale të jetë kundër një bashkëpunimi të tillë,” tha Haliti.

Sa i përket zgjedhjes së presidentit, ai theksoi se, në mungesë të një marrëveshjeje për bashkëqeverisje, PDK-ja nuk ka detyrim të mbështesë kandidatin e propozuar për këtë post. Megjithatë, sipas tij, partia mund të marrë vendime që shmangin bllokimin institucional.

“Nëse nuk ka koalicion me Vetëvendosjen, PDK-ja nuk ka ndonjë obligim për presidentin. Por, nëse interesi për funksionalizimin e institucioneve mbizotëron, partia mund të marrë vendime që e zhbllokojnë procesin, edhe nëse mbetet në opozitë,” deklaroi ai.

Haliti tha gjithashtu se nuk sheh mundësi reale për një kandidat konsensual për president mes PDK-së dhe LVV-së, duke argumentuar se politika ndërtohet mbi interesa të ndryshme.

I pyetur për takimin e 10 korrikut mes kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, dhe liderit të LVV-së, Albin Kurti, Haliti tha se nuk ka qenë pjesë e bisedimeve dhe nuk mund të flasë për detajet. Megjithatë, ai beson se Hamza ka paraqitur qëndrimet dhe kushtet politike të PDK-së, përfshirë projektin ekonomik të prezantuar gjatë fushatës dhe parimet për një marrëveshje eventuale qeverisëse.

Në fund të intervistës, Haliti komentoi edhe zhvillimet në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), duke mohuar se PDK-ja ka preferenca për garën e brendshme në këtë parti.

Ai tha se PDK-ja dëshiron që LDK-ja të mbetet një parti e konsoliduar dhe serioze, ndërsa shtoi se marrëdhëniet e tij personale me kryetarin e Pejës, Gazmend Muhaxheri, nuk kanë ndikim në proceset e brendshme të LDK-së.

Lexo edhe:

Back to top button