Zana Spahiu në krye të RTK-së, zgjidhet drejtoreshë e përgjithshme

Zana Spahiu do të jetë në krye të Radiotelevizionit të Kosovës për tri vitet e ardhshme. Ajo është zgjedhur drejtoreshë e përgjithshme e RTK-së me nëntë vota pro nga anëtarët e Bordit të mediumit publik, në mbledhjen e mbajtur më 17 korrik 2026.

Spahiu ishte kandidatja më e vlerësuar në procesin përzgjedhës, duke grumbulluar 90.7 pikë gjatë intervistimit dhe vlerësimit nga të gjithë anëtarët e bordit. Ky rezultat e vendosi atë në krye të listës së kandidatëve për udhëheqjen e transmetuesit publik.

Procesi i intervistimit u zhvillua më 13 korrik, ku për pozitën e drejtorit të përgjithshëm u paraqitën gjashtë kandidatë: Lorik Arifaj, Antigona Baxhaku, Arbër Geci, Nexhmedin Spahiu, Zana Spahiu dhe Hysen Hundozi.

Sipas rezultateve të vlerësimit, pas përllogaritjes së pikëve nga anëtarët e bordit, Arbër Geci u rendit i dyti me 82.7 pikë, ndërsa Lorik Arifaj mori 67.6 pikë, Hysen Hundozi 65.7 pikë, Antigona Baxhaku 61.1 pikë dhe Nexhmedin Spahiu 61.1 pikë.

Zgjedhja e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së bëhet në përputhje me Ligjin për RTK-në, i cili përcakton se kandidati duhet të marrë së paku dy të tretat e votave të anëtarëve të Bordit për t’u emëruar në këtë pozitë.

Lexo edhe:

Back to top button