Hamza akuzon VV-në për bllokadë: Merrni përgjegjësinë për krijimin e institucioneve

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, mblodhi të martën deputetët e zgjedhur të partisë, duke bërë thirrje për krijimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja dhe duke akuzuar partinë në pushtet për zvarritjen e procesit të konstituimit të Kuvendit.

Sipas një njoftimi të PDK-së, në takim u diskutua situata aktuale politike dhe nevoja për përmbylljen pa vonesa të procesit të konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve.

PDK vlerësoi se vazhdimi i bllokadës institucionale nga ana e partisë që doli e para në zgjedhje, pas një periudhe të gjatë pasigurie politike dhe zgjedhjeve të njëpasnjëshme, “vetëm sa e thellon krizën, pengon zhvillimin ekonomik dhe dëmton interesin e qytetarëve dhe të shtetit”.

Deputetët e zgjedhur të kësaj partie ritheksuan se Kosovës i nevojiten institucione funksionale dhe të afta për t’u përballur me sfidat e vendit, me fokus në zhvillimin ekonomik, mirëqenien sociale, forcimin e shtetit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës.

PDK i bëri thirrje subjektit politik që ka dalë i pari në zgjedhje të marrë “pa vonesë përgjegjësinë kushtetuese dhe politike” për zhbllokimin e procesit të krijimit të institucioneve.

“Kosova ka nevojë urgjente për stabilitet politik, institucione funksionale dhe vendimmarrje që u përgjigjet pritjeve të qytetarëve, jo për zvarritje të proceseve që dëmtojnë interesin publik dhe të ardhmen e vendit”, thuhet në njoftimin e PDK-së.

Lexo edhe:

Back to top button